Maqedonia e Veriut ka mbajtur ditën e sotme raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, i cili është dhe procesi i parë zgjedhor që zhvillohet nën emrin e ri të vendit.
Procesi i votimit është përmbyllur rreth orës 19:00 ndërsa tani ka filluar numërimi i votave nga ana e anëtarëve të komisioneve komunale zgjedhore. Sipas të dhënave, gjatë votimit presidencialet kanë kaluar pa parregullësi të theksuara, ndërkohë që KQZ bënë me dije se në kohë rekord, brenda një ore do të publikojnë rezultatet.
Në këto zgjedhje, për president garuan Blerim Reka, i mbështetur nga Alenaca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, Gordana Siljanovska e mbështetur nga VMRO-DPMNE-ja si dhe Stevo Pendarovski i mbështetur nga koalicioni qeverisës.
Po ashtu gjatë ditës së sotme paralelisht me zgjedhjet Presidenciale, janë zhvilluar edhe zgjedhjet lokale në tri komuna. Në Komunën e Dibrës, Komunën e Ohrit dhe Komunën e Novo Sellës, ku qytetarët kanë votuar për zgjedhjen e kryetarit të Komunës.
Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), deri në orën 17:00 në Dibër pjesëmarrja e votuesve në 27 qendërvotime ka qenë 36,31% nga 18.574 qytetarë sa kanë të drejtë vote.
Në Ohër pjesëmarrja e votuesve në 89 vendvotime ka qenë 44,74% nga 52.223 qytetarë sa kanë të drejtë vote. Kurse në Novo Sellë, pjesëmarrja e votuesve në 20 vendvotime ka qenë 41,93% nga 11.302 qytetarë sa kanë të drejtë vote.
Mediat raportojnë se nga 1.8 milionë shtetas të regjistruar për të votuar, deri në orën 18:30 vetëm 39.71 % e tyre e kishin ushtruar këtë të drejtë, ose rreth 660 mijë votues.