Raundi i parë i votimit në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e presidentit nuk ka arritur kuorumin e nevojshëm prej 80 deputetësh, pasi në kuti u numëruan vetëm 78 fletëvotime.
Mosarritja e kuorumit bën që të kalohet në raundin e dytë ku duhet përsëri të arrihet kuorumi prej 80 deputetësh.
Nëse dhe në raundin e dytë nuk arrihet shumica e cilësuar, presidenti i ardhshëm zgjidhet me një shumicë të thjeshtë prej 61 votash.
Në Kuvendin e Kosovës aktualisht janë 82 deputetë nga VV, LDK, PDK, AAK dhe pakicat.
Mimoza Kusari Lila ka prezantuar biografinë e Vjosa Osmanit kurse Haxhi Avdyli të Nasuf Bejtës, këta të dy kandidatë për president.
Kujtojmë se që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në Kosovë zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, dhe më 22 mars, 2021 u konstituua Kuvendi dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë.