Është mbyllur në Pragë sfida eliminatore për Euro 2024 mes Republikës Çeke dhe Shqipërisë. Kombëtarja jonë arriti të marrë 1 pikë nga transferta çeke. Takimi u mbyll 1-1 dhe heroi i tanëve ishte Nedim Bajrami. Të parët shënuan vendasit dhe më pas barazoi mesfushori i Sassuolos.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, megjithëse kombëtarja pati dy raste të mira në kundërsulm, por që nuk u shfrytëzuan siç duhet.
Në pjesën e dytë gjithçka u ndez. Ishin çekët që u treguan më kërkues në minutat e para të pjesës së dytë.
Ata arritën të realizonin fillimisht por goli nuk vlejti për pozicion të parregullt. Por më pas në minutën e 56’ çekët çuan topin në rrjetë sërish dhe kësaj here goli vlejti. Ishte Cerny ai që shënoi duke kaluar vendasit në avantazh.
Por vetëm 10 minuta më vonë mesfushori i kombëtares sonë Nedim Bajrami shënoi një gol spektakolar nga distanca duke vendosur baraspeshën.
Pas barazimit kombëtarja kuqezi filloi të merrte lojën nën kontroll. Kishte një rast mjaft të mirë në kundërsulm, por Daku me Mujën nuk u morën vesh. Pak minuta në fundin e lojës pati edhe për Myrto Uzunin që zëvëndësoi Taulant Seferin në sulm.
Në sfidën tjetër të grupit Polonia fitoi ndaj Ishujve Faroe 2-0.
Në renditje Shqipëria është e dyta me 7 pikë, ndërsa në vend të parë janë çekët me 8 pikë.