Pas takimit me senatorin amerikan John McCain, kryeministri Edi Rama zbulon se ka përfituar nga ky takim për t’i bërë edhe një dhuratë.
Bëhet fjalë për një libër, të cilin kryeministri e dhuron si kujtim për një kohë të shkuar në shenjë të një miqësie të gjatë mes dy vendeve.
“Vizita e Senatorit John McCain më dha mundësinë t’i dhuroja këtë liberth të një kohe të shkuar duke medituar fjalët që ky mik i madh shqiptoi në Kosovë se sa absurde do kishte qënë që miqtë e sotshëm të ishin vrarë dje mes njëri-tjetrit.
Dedikimi:
‘Ekzemplar i rrallë i një doracaku mbi aeroplanët dhe helikopterët e “armiqve” të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, shtypur nga Ministria e Mbrojtjes popullore, për përdorim sekret nga kuadro të lartë të ushtrisë, në Tiranë, 1977. Në brendësi (f. 29) shfaqet avioni A-7E CORSAIR II, të cilin e ka pilotuar një mik i madh i shqiptarëve, senatori i ardhshëm John McCain, gjatë karrierës së tij të shkëlqyer në Marinën amerikane.
Si kujtim për një kohë të harruar, në shërbim të një miqësie jetëgjatë”, shkruan Kryeministri.
Vizita e zyrtarit amerikan në Tiranë vjen në një kohë krize politike për shkak të protestës dhe bojkotit të opozitës, si edhe krizës PS-LSI. McCain vjen në Tiranë në kuadër të një turi në Ballkan. Gjatë ditës së sotme ai takoi kreun e Kuvendit Ilir Meta, kreun e opozitës Lulzim Basha, Presidentin Bujar Nishani dhe tani kryeministrin Rama.
Pas kryeministrit, McCain pritet të takojë edhe ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati. (D.D/Shuplaka)