Artur Baku kandidat për deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim në përfundim të verifikimit të KQZ-së, është arrestuar në 2015 për ‘Shpërdorim detyre”.
Sipas verifikimeve të KQZ-së, rezulton se Artur Baku ka ndërruar emrin nga Afrim në Artur, ndërsa nuk rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerje të ndonjë vepre penale nga autoritetet gjyqësore shqiptare.
Baku rezulton i arrestuar në datën 23.11.2015 për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorim detyre’ gjatë kohës kur ka qenë drejtor i pyjores në Fushë-Krujë dhe masa e marrë ndaj tij ishte ‘Arrest shtëpie’.
Baku u akuzua atë kohë për ‘Shpërdorim detyre’ pasi drutë që ai sekuestronte ia shiste palëve të treta. Policia kishte ndaluar një kamion me lëndë drusore pa asnjë dokument të cilin ja kishte dhënë drejtori i pyjores, post të cilin e mbante Baku.
Drutë e sekuestruara, mbaheshin në një pikë grumbullimi në Fushë Krujë, në pronësi të shtetasit, Petrit Vena, por i cili nuk ka kërkuar qera pasi njihej me drejtorin e pyjores Artur Baku.
Ky i fundit fillimisht u kërkua nga prokuroria për t’u marrë në pyetje, por nuk u gjet në shtëpi. Prokuroria e shpalli në kërkim atë.
Në 23 nëntor të 2015-tës, Baku ndalohet dhe merret në pyetje ku deklaron se nuk është përgjegjësia e tij për të bllokuar drutë, por i ka inspektorati i policisë pyjore. Pas kësaj, gjykata jep masën e sigurisë, arrest shtëpie për Artur Bakun.
(R.G/Faxweb.al)