Izraelitët dhe palestinezët po përgatiten për tensione të mundshme para marshit të planifikuar të ultranacionalistëve hebrenj nëpër Jerusalemin Lindor, që do të mund të nxitë protesta dhe përleshje me policinë vetëm disa javë pas përfundimit të luftimeve.
Ky marsh paraqet test të hershëm për qeverinë e re izraelite, e cila u betua të dielën. Qeveria po cilësohet si e brishtë. Në koalicionin e ri qeveritar ka parti të tërë spektrit politik, përfshirë një parti të vogël arabe.
Anulimi i mundshëm i këtij marshi nga qeveria e kryeministrit Naftali Bennett do të sillte kritika të shumta nga ata që veprimin do ta cilësonin si dorëzim para pushtetarëve të Hamasit në Gaza, shkruan The Guardian. Në anën tjetër, Hamasi u ka bërë thirrje palestinezëve që t’i rezistojnë këtij marshi.
Mansour Abbas, partia e vogël e të cilit është grupi i parë arab që bëhet pjesë e një koalicioni qeveritar në Izrael, i tha një radiostacioni lokal se kundërshton çfarëdo provokimi, duke shtuar: “Kushdo që e ka shikuar dhe që e ka ndjekur këtë paradë e di se cili është qëllimi i saj.”
Policia e ka miratuar kërkesën e marshuesve që të kalojnë nëpër Portën e Damaskut në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, ku protestuesit palestinezë u përleshën me policinë rreth kufizimit të tubimeve publike gjatë Ramazanit në prill dhe maj.