Eksperti ligjor në Partinë Demokratike, njëherazi ish-ministër Drejtësie në qeverinë teknike, Gazmend Bardhi, i ftuar në studion e lajmeve në Fax News, ka komentuar situatën politike pas publikimit të audiopërgjimeve për dosjen Xhafaj.
Bardhi ka thënë se aktiviteti kriminal i vëllait të ministrit ka vijuar normalisht, duke hedhur poshtë atë që ka deklaruar Xhafaj më herët.
Eksperti i PD-së ka shtuar se nuk kemi të bëjmë vetëm me një indicie të opozitës por me një vendim të qartë të drejtësisë italiane.
“Nuk ka rrezik më të madh që qeveria të përfshihet në trafik droge. Nuk mundet t’i shmanget përgjegjësisë duke thënë unë nuk di çfarë ka bërë vëllai i tij. Ministri i Brendshëm, ka përgjegjësi të dijë çdo gjë. Vëllai i ministrit të Brendshëm vijon të merret me trafik droge, të dhënat i kemi, publikuam të dhëna jo më larg se sot. E vijon në mbrojtje të policisë së shtetit. Ligji Anti-Mafia nuk merret vetëm me persona që merren me aktivitet kriminal. Ne nuk kemi indicie, ne kemi një vendim se vëllai i ministrit merret me trafik droge. Është vendimi i drejtësisë italiane.”-u shpreh Bardhi.
I pyetur nga spikerja Brikena Prifti, për hetimin ndaj vëllait të Xhafajt, dhe përfshirjen në verifikimet e Prokurorisë të vetë ministrit Fatmir Xhafaj, Bardhi u shpreh se ministri ka përgjegjësi ligjore, jo vetëm politike e morale siç u shpreh kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
“Ministrin e kuptoj që s’mund të dalë të thotë është subjekt i ligjit anti-mafia. Fatmir Xhafaj ka bërë zgjedhjen e tij për të mos e hetuar vëllain e tij. Subjekt nuk është vetëm vëllai, por edhë familjarët, vëllai e motra. Pse nuk zbatohet ligji anti-mafia për Agron Xhafën dhe vëllain e tij. Forca e Ligjit nuk vepron për njerëz si Agron Xhafaj. Ministri i Brendshëm nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë. Kemi të bëjmë me një qeveri mafioze.zoti Xhafaj ka përgjegjësi ligjore, jo vetëm politike dhe morale për aktivitetin që kryen vëllai i tij. Ndaj ekziston ministria e Brendshme. Ne s’kemi parë ndonjë rezultat. E kemi pyetur nëse e ka futur në database të vëllain, që është i dënuar me vendim të formës së prerë. Arrestimi duhet të kishte ndodhur që kur ministri ka marrë dijeni për të. Nuk ndodh në asnjë vend të botës që një njeri i dënuar me 7 vite të mos bëjë asnjë ditë burg. Ndodh vetëm kur je vëllai i ministrit.”-tha Bardhi.
(F.G/Faxweb.al)
Discussion about this post