3 raste me turbekuloz tek lopët janë konstatuar në një thertore në rajonin e Durrësit.
Pas kësaj një fermë e gjithë është vendosur në karantinë në zonën e Shijakut, ndërsa nga ana e Ministrisë së Bujqësisë nuk ka asnjë reagim.
Një nga njohësit më të mirë të veterinarisë dhe njëherësh pedagog në UBT, Kristaq Bërxholli në ‘’Fax News” është shprehur se shteti nuk ka marrë asnjë masë, pavarësisht rrezikut të madh që iu kanoset qytetarëve.
“Kjo është një sëmundje shumë problematike. OBSH ka llogaritur që nga viti 2000-2020 nga turbekulozi pritet që të infektohen rreth 1 miliardë njerëz në botë, nga këta 200 milionë do të sëmuren dhe rreth 35 milionë do vdesin.
Nga sëmundja e turbekulozit vetëm në një vit vdesin 3 milionë njerëz. Ka pasur disa vatra në vendin tonë të prekura me turbekuloz, shërbimi veterinar para viteve 90 ka bërë një punë të mrekullueshme”, u shpreh Bërxholli.
Duke iu referuar karantinave në vendin tonë, Bërxholli u shpreh se në Shqipëri ato nuk funksionojnë.
“Karantina në Shqipëri nuk funksionon fare. Karantina edhe nëse duhet të bëhej nuk mund të ndërtohet në mes të Shqipërisë siç është fshati Bilaj ku është ndërtuar.
Ndoshta ishte mirë se në rast se ka dalë dyshimi që para gjashtë muajsh, shteti duhet të reagonte më shpejt dhe të merrte masa.
Duhet të kishte një kontroll më të rreptë, pasi nga kafsha mund të kalojë te njerëzit përmes mishit dhe qumështit.
Unë nuk suprizohem për situatën, problemi është çfarë duhet që të bëjmë këtë situatë. Qeveria duhet të ketë një shërbim kontrollor të fortë, duhet të importohen turbekulinat dhe të ketë kontrolle në të gjithë vendin.
Heqja e menjëhershme e të gjitha kafshëve, pasi të gjitha kafshët e sëmura duhet të kompesohen nga ana e shtetit, duke shkaktuar miliona lekë dëme.
Turbekulozi ka shumë mënyra të përhapjes dhe një nga këto janë produktet e kësaj kafshe të sëmurë, në rast se qumështi nuk është i pasterizuar. Mishi ka më pak rrisk që të kontaminohet. Ato duhet që të hidhen, qumështi është problemi numër 1”, u shpreh më tej Bërxholi.
(E.K/FAXWEB)