Konsolidimi fiskal do të vijojë të jetë objektivi themelor i politikës fiskale për periudhën afatmesme 2026-2028, në funksion të drejtpërdrejtë të sigurimit të stabilitetit makroekonomik të vendit, si një premisë thelbësore për sigurimin e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse.
Pas një stimuli të lartë, për të kryer një politikë fiskale ekspansioniste të domosdoshme dhe njëkohësisht të paevitueshme gjatë viteve 2020 dhe 2021 me qëllim amortizimin e goditjeve negative nga tërmeti dhe sidomos pandemia, politika fiskale u rikthye qartësisht drejt konsolidimit gjatë viteve 2022-2024.
Ministria e Financave, e cila miratoi këtë javë Kuadrin Makroekonomik dhe Fiskal për periudhën 2026-2028, thotë se me synimin për të ruajtur të pacenuar kredibilitetin e financave publike në perceptimin e tregjeve, politika fiskale do të targetojë një trajektore rënëse të përvitshme të borxhit publik, ndërsa balanca primare do të jetë së paku neutrale ose në nivel pozitiv në vijimësi, duke përbërë objektivin kryesor operacional që do të ankorojë politikën fiskale në afatin e mesëm dhe të gjatë, në përputhje edhe me rregullat fiskale respektive në Ligjin Organik për Buxhetin.
Në të njëjtën kohë, krahas konsolidimit fiskal, MF thekson se ky kuadër synon të ruajë një raport të balancuar dhe të qëndrueshëm të shpenzimeve buxhetore korrente dhe kapitale, ku shpenzimet kapitale, pra investimet publike, për periudhën 2026-2028 do të targetohen të jenë mesatarisht rreth 5,9% e PBB në çdo vit buxhetor.
Kjo përfshin gjithashtu investimet e reja publike, të cilat mund të realizohen në kuadër të Planit të Ri të Rritjes të implementuar nga Bashkimi Evropian.
Ky nivel i shpenzimeve kapitale tejkalon qartë deficitin e përgjithshëm fiskal të periudhës, duke targetuar në këtë mënyrë, në mënyrë konsistente, një balancë fiskale korrente pozitive, në përputhje me “rregullin e artë” të buxhetit.
Ky kuadër fiskal synon një deficit fiskal të përgjithshëm prej 1,9% të PBB për 2026, nga 2,6% i programuar për vitin 2025; nivelin prej 1,6% të PBB në vitin 2027 dhe 1% në 2028.
Njëkohësisht, pasi tashmë e targetuar në një nivel neutral prej 0,0 për qind e PBB për vitin 2025 (sipas ligjit të buxhetit 2025), balanca primare në përiudhën afatmesme do të targetohet në vijimësi në vlera pozitive, respektivisht 0,7 për qind e PBB për vitin 2026 në, 0,9 për qind në vitin 2027 dhe 1,4 për qind në vitin 2028.
Respektimi në mënyrë të përvitshme i këtij rregullit fiskal të parametrit të balancës primare, pritet të çojë në një reduktim të nivelit të borxhit publik bruto, rreth nivelit prej 52,1% të PBB deri në vitin 2028, nga rreth 55,2% që ishte në 2024-n.