Përmes një projektligji të depozituar në Kuvend pak ditë më parë, Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit pritet t’i hiqet e drejta për të studiuar periudhën e Luftës Nacional Çlirimtare.
Kanë qenë dhjetë deputetë ata që kanë depozituar projektligjin që do t’i ndalojë Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri të studiojë mbi periudhën e Luftës Nacionalçlirimtare, duke i vendosur një kufi “penalizues” dhe duke e ndaluar atë që hulumtojë periudhën përpara 28 nëntorit 1944, që përkon me ditën e çlirimit të vendit.
Lidhur me këtë akt ka qenë i ftuar në studion e lajmeve të Fax News, historiani Çelo Hoxha, i cili tha se ky projektligj është vepër e nostalgjikëve të komunizmit, të cilët sipas tij tremben nga e vërteta.
“Nuk na lejohet që të studiojmë lidhur me nisjen e aktivitetet të regjimit komuist, është një frikë që fshihet pas këtij vendimi. Nuk është një histori e lavdishme pa asnjë njollë, unë jam marrë me krime që janë kryer, dhe nostalgjikëve të komunizmit kjo gjë nuk iu pëlqen, shqetësimi i tyre është e vërteta. Lufta është legjitimiteti i të majtës në Shqipëri, historia e tyre fillon me luftën, që është paraqitur si e lavdishme, po ne themi që kjo nuk është e vërtetë”, u shpreh Hoxha.
I pyetur nga gazetarja Armela Ferko, nëse ka persona që janë sot gjallë dhe cënohen nga hetimi i kësaj periudhe të luftës, Hoxha tha se më shumë kjo gjë iu intereson pasardhësve të tyre.
“Më shumë se personat që kanë qenë pjesë e luftës, reagimi më i madh bëhet nga persona që kanë lidhje gjaku, pasardhësit e tyre kanë influencë politike, nuk e di sa janë të angazhuar të gjithë, po ka një grup noistalgjikësh, dhe përfaqësuesi i tyre më i zjarrtë është Spartak Braho. P0 në total janë 10 deputetë që e kanë firmosur këtë projektligj dhe janë pozicionuar në anën e nostalgjikëve”, tha më tej historian.
Një tjetër pikë që është kontestuar fort në këtë projektligj, është dhe paisja me cerifikatë sigurie e të gjithë anëtarëve të Institutit, pavarësisht se jo të gjithë ata kanë në dorë dokumente të klasifikuar. Sipas Hoxhës kjo bëhet me qëllim për të kapur ISKK, pasi varet nga DSIK.
“Nga ky projektligj është e rrezikuar pavarësia e Institutit, për shkak se po kërkohet që të kontrollohet përmes DSIK, edhe në qoftë se ne do të na duhet informacion i klasifikuar, një ose dy persona mund të marrin certifikata sigure. Psh jo të gjithë punonjësit e Arkivës së Shtetit janë ne certifikatë sigurie, Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka persona që janë të pajisur me certifikatë sigurie.
Ne vetë nuk prodhojmë material të klasifikuar, ne nuk jemi Forca të Armatosura që qarkullojnë informacione të klasifikuara, në institutin tonë nuk ndodh kjo. Nuk kërkohet certifikatë sigurie për të kuptuar sesi kanë funksionuar në kohën e komunizmit kryeministria apo ministry të ndryshme. Periudha e komunizmit është mjaft e gjatë, nostalgjikët nuk duan që kjo kohë të studiohet dhe të përflitet, ata duan ta lënë në heshtje këtë kohë”, u shpreh Çela.
Kujtojmë se një prej nismëtarëve të këtij projektligji është deputeti socialist Spartak Braho, i cili ka pasur përplasje të mëdha me kreun e Institutit, Agron Tufën. Braho e akuzuar këtë institucion si një “fole” të Ballit Kombëtar. Deputetët e tjerë janë Bashkim Fino, Alket Hyseni, Jurgis Çyrbja, Adnor Shameti, Edmond Leka, Damian Gjiknuri, por edhe nga dy deputetët e opozitës Ediola Braho dhe Aurora Mara.
Sipas relatorëve, projektligji propozohet për të saktësuar periudhën e regjimit komunist në Shqipëri në funksion të objektit të ligjit si dhe për të plotësuar kriteret e nevojshme për anëtarët e Bordit dhe punonjësit e Institutit te Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri.
Sipas draftit, nuk mund të jetë objekt i ligjit periudha e Luftës Nacionalçlirimtare, por pas datës 28 Nëntor 1994. “Objekti dhe qëllimi i ligjit është i lidhur me krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri pas çlirimit të vendit dhe jo me të gjithë periudhën që nga krijimi i forcës politike komuniste antifashiste. Dokumentet historike kanë treguar se Partia Komuniste Shqiptare e themeluar në 8 nëntor 1941 fitoi mbështetje popullore veçanërisht me programin politik dhe me platformën për krijimin e një fronti të gjerë lufte, ku do të merrnin pjese pa dallim të gjitha forcat politike dhe antifashiste të vendit. Partia Komuniste Shqiptare, në programin e saj të shpallur, nuk shtronte kryerjen e revolucionit socialist, diktaturën e proletariatit dhe as shtetëzimin e mjeteve të prodhimit apo luftën e klasave. Ajo shtronte çështjen e çlirimit të vendit, rivendosjen e pavarësisë kombëtare dhe ndërtimin e një rendi demokratik në Shqipëri. Me luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare u arritën objektivat themelore dhe konkretisht çlirimi i vendit dhe rivendosja e pavarësisë kombëtare”, thuhet në relacionin shpjegues.
(E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post