Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në përfundim të mbledhjes së grupit të vet parlamentar, është prononcuar para kamerave për problemin e familjeve që janë hequr së fundmi nga skema e ndihës ekonomike.
“Kjo është dramë njerëzore. Bëhet fjalë për dhjetëra-mijëra familje. Një dramë që po shpaloset nga jugu në veri për tekat e një qeverie. Jemi i vetmi vend në Europë që ka futur në karantinë urie dhe ka çuar drejt emigracionit me vullnetin e Edi Ramës dhe marionetës së tij në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, një përqindje të madhe shqiptarësh që nuk kanë ushiqm apo para për t’u ngrohur apo për të paguar dritat.” – tha Basha.
“Kemi një qeveri dhe një kryeministër që po përdor metoda naziste genocidale ndaj shqiptarëve.” – theksoi më tej kreu demokrat.
“Prej ditësh bashkë me strukturat e PD në pushtetin vendor po mundohemi të evidentojmë përmasat e këtij holokausti të Edi Ramës dhe u bëjmë thirrje mediave ta vendosin këtë temë në qendër të vëmendjes për aq sa të munden sepse nuk ka gjë më urgjente: jetë njerëzore në rrezik!” – apeloi Basha.
“Kemi diskutuar se çfarë mund të bëjmë përtej rolit tonë si opozitë.
Ministrja që është për ndjekje penale për shpërdorim detyre, prej dy javësh mban te fshehur kriteret mbi te cilat është hequr ndihma ekonomike për këta njerëz. Përflitet se kriteri mbi të cilin ajo ua ka hequr ndihmën ekonomike ka qenë pasja e një televizori apo frigoriferi. Por të kesh një frigorifer apo një televizor apo një radio nuk do të thotë automatikisht se ke të ardhura.”
“Grupi ynë parlamentar do të finalizojë nesër kërkesën për debat me mocion për të vënë Edi Ramën dhe marionetën e tij përpara përgjegjësisë dhe për të zbardhur pjesë të këtij skenari kriminal nazist të Edi Ramës ndaj më të pambrojturve të këtij vendi.” – deklaroi para mediave kreu i selisë blu.
Në lidhje me deklaratën e kryeministrit Rama për një president të përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës, Basha tha se shqiptarëve të të dyja vendeve nuk u nevojitet një hajdut më tepër por një treg i përbashkët për energjinë dhe telekomunikacionin.
(E.L/Faxweb)
Discussion about this post