Përjashtimi i Kamzës ka bërë që nga tani e tutje të gjitha skuadrat që kanë në kalendar ndeshjen ndaj skuadrës nga periferia e kryeqytetit të marrin 3 pikët në tavolinë, pasi ka kaluar më shumë se gjysma e kampionatit dhe pikët ndaj kamzalinjve nuk mund të zerohen.
Më të favorizuarat në këtë mes janë Luftëtari, Flamurtari e Skënderbeu, pasi këto 3 skuadra kanë në kalendar dy ndeshje ndaj Kamzës dhe në këtë mënyrë kanë të garantuara 6 pikë për fitoret 3-0 në tavolinë.
Në këtë mënyrë rriten shanset e Luftëtarit për të siguruar mbijetesën, ndërkohë që pakësohen ato të Kastriotit.
Megjithatë i fituari i madh nga përjashtimi i Kamzës është Skënderbeu, që do të kursejë energjitë duke luajtur 4 ndeshje më pak, por në të njëjtën kohë përveç 6 pikëve në kampionat, ka siguruar edhe kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë pa zbritur fare në fushë, pasi në çerekfinale shorti e kishte vënë pikërisht përballë Kamzës.