Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë me dije se ekipet e Emergjencave Civile dhe Forcave të Armatosura vijojnë punën për menaxhimin e situatës së krijuar nga moti i keq në vend. Shqipëria po përballet këto dy ditë me stuhinë Ciaran që ka prekur dhe disa vende të Evropës. Ka patur mjaft bllokime rrugësh dhe disa lumenj kanë dalë nga shtrati. Peleshi thotë se në orët e fundit nuk ka zgjerim të hartës së zonave të prekura.
Në qarqet Gjirokastër dhe Korçë po punohet me intensitet, ndërkohë që po ndiqet nga afër situata edhe në qarkun e Dibrës.
Në terren janë dhe grupet e OSHEE-së të cilët vijojnë punë për eleminimin e defekteve dhe rilidhjen e energjisë në zonat e thella.
Postimi i Niko Peleshi:
Ekipet e Emergjencave Civile dhe efektivët e Forcave të Armatosura vijojnë pa u ndalur angazhimin për menaxhimin e situatës së krijuar nga moti i rënduar, ku fatmirësisht nuk ka zgjerim të hartës së zonave të prekura.
Në qarkun e Gjirokastrës po punohet për kthimin në normalitet të e aksit rrugor që lidh qytetin e Gjirokastrës me fshatrat Karjan, Mingul dhe Gjat i bllokuar për shkak të reshjeve të dendura. Në qarkun e Korçës, po punohet me intensitet për riparimin e urës që u dëmtua në fshatin Panarit.
Me vëmendje maksimale po ndiqet situata në qarkun e Dibrës dhe Lezhës, ku per shkak të reshjeve që vijojnë me intenstet të lartë ka bllokime rrugësh.
Angazhim maksimal për të shmangur çdo rrezik për jetët njerëzore e gjënë e gjallë.
Grupet e punës të OSHEE vijojnë të jenë në terren për eleminimin e defekteve dhe rilidhjen e energjisë në zonat e thella.