Sot më 6 maj, përkujtohet ditëlindja e heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Skënderbeu lindi më 6 maj 1405, në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit. Skënderbeu personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve, që mori emrin e tij, luftën më se njëshekullore të tyre kundër vërshimit osman (fundi i shek. XIV – fillimi i shek. XVI) për mbrojtjen e tokës, të pasurisë e të lirisë.
Në 619-vjetorin e lindjes së tij, sot në Lezhë u zhvillua një veprimtari përkujtimore, ku merrnin pjesë autoritete lokale, qytetar dhe nxënës shkollash. Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë Lezhë, historiani Paulin Zefi thotë se nuk është e sigurt që Gjergj Kastrioti mund të ketë lindur me 6 maj, por e rëndësishme është që të përkujtohet ditëlindja e tij dhe këtë vit kjo ngjarje ka marrë përmasa ndërkombëtare.