Sot në Gjirokastër është përkujtuar 75-vjetori i çlirimit të qytetit ndërsa është organizuar edhe një ceremoni zyrtare në nderë të kësaj date.
Po ashtu edhe këtë vit nuk kanë munguar manifestimet me simbolet e komunizmit dhe këtë radhë, Faxweb ka siguruar pamje ku një zotëri mban në duar foton e diktatorit, Enver Hoxha.
Pas këtij incidenti të publikuar në media ka reaguar edhe kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi i cili ka deklaruar se sipas tij për sa i përket pjesës së bashkisë ka shkuar çdo gjë shumë mirë.
Më tej Golemi shprehet se “Nostalgjikë të atij sistemi dhe të diktatorit kemi ende mes nesh, por s’do të thotë se ne si institucione shtetërore duhet të bëjmë sërish luftë klasash apo t’i dënojmë për ‘agjitacion e propagandë’.”
Kryebashkiaku i Gjirokatstrës madje e cilëson rastin si sporadik dhe i kërkon mediave të mos e instrumentalizojnë.
“Nuk e kam ndjekur me vëmendje rastin për të cilin po flisni. Për mua ceremonia përsa i përket pjesës së Bashkisë shkoi shumë mirë. Falenderoj të gjithë ata që punuan për aktivitetet dhe për pjesëmarrësit. Unë personalisht s’kam asnjë nostalgji për diktatorin Enver Hoxha, as ndonjë axhendë të fshehtë që të rikthej komunizmin në Gjirokastër apo glorifikoj ate sistem. Shqipëria është ndarë njëherë e mirë me atë sistem. Nostalgjikë të atij sistemi dhe të diktatorit kemi ende mes nesh, por s’do të thotë se ne si institucione shtetërore duhet të bëjmë sërish luftë klasash apo t’i dënojmë për ‘agjitacion e propagandë’. Për qytetarët dhe për ju si media ka rëndësi qëndrimi zyrtar i Bashkisë Gjirokastër. Disa nostalgjikë të Enver Hoxhës kanë qenë, janë aty dhe do të jenë sa të kenë jetë, por nuk e ndikojnë aspak axhëndën tonë. Ne sot nderuam të rënët në luftë. Ajo luftë ishte e të gjithë popullit, jo e një individi, qoftë ky edhe ish diktatori. Thirrje dashamirëse për mediat. Mos i instrumentalizoni kot më kot këto raste sporadike që kanë kohë që s’përbëjnë më lajm në Shqipëri.”- deklaron Golemi.
(M.Q/Faxweb.al)
Discussion about this post