Policia e kryeqytetit ka arrestuar një të ri 29-vjeçar nga Lezha pasi mbi të ka një denoncim për tentativë përdhunimi.
Sipas bluve te kryeqytetit, dje u arrestua shtetasi Xhevahir Gera, 29 vjeç, banues në Lezhë, pasi më datë 13.05.2017, ka tentuar të kryejë mardhënie seksuale me dhunë me shtetasen me iniciale I. R., 23 vjeçe, banuese në Rrëshen.
Ngjarja ka ndodhur në Kamëz dhe është denoncuar në Komisariatin nr.5 nga shtetasja me iniciale I.R., 22 vjeçe. Sipas kallëzimit të së resë, djali nga Lezha ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me të, teksa po e përcillte me makinë për në shtëpi.
Vajza pretendon se 29-vjeçari ka ushtruar edhe dhunë fizike ndaj saj, në momentin që ajo ka bërë rezistencë dhe ka nisur të bërtasë e të kërkojë ndihmë. Por në një moment ajo ka arritur të hapë derën e makinës dhe ka dalë në rrugë duke vrapuar në drejtim të shtëpisë, raporton Panorama.
Në këtë kohë 29- vjeçari i ka dhënë gaz makinës dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa e dëmtuara është paraqitur në Komisariat ku ka bërë denoncim për atë që kishte ndodhur.
Pas denoncimit është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes, i cili akuzohet për “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura, e mbetur në tentativë”.
Si ndodhi njohja në Facebook
Pas njohjes virtuale, dy të rinjtë kanë shkëmbyer edhe numrat e telefonit dhe më pas bisedat e tyre kanë qenë edhe më të shpeshta. Ajo ka folur thuajse çdo ditë me të, por nuk e kishte takuar asnjëherë.
Pasditen e së shtunës, 29-vjeçari i ka telefonuar asaj, duke i thënë se do të vinte nga Lezha për ta takuar. Vajza është bindur dhe e ka takuar për të pirë një kafe. Në kallëzimin e saj ajo sqaron se janë ulur për më shumë se një orë në një lokal në Kamzë.
Më pas ajo shprehet se i ka thënë shtetasit Xhevahir G. se duhej të kthehej në shtëpi, pasi ishte bërë vonë. Djali i ka thënë se do ta shoqëronte me makinë deri afër shtëpisë dhe ajo ka pranuar.
Por pak para se t’i afrohej shtëpisë, në një rrugicë të errët, ai ka tentuar të abuzojë seksualisht me të, pasi ka ushtruar edhe dhunë fizike ndaj saj. Megjithatë, 22-vjeçarja ka deklaruar se në një moment ka arritur t’i shpëtojë nga duart, ka hapur derën e makinës dhe është larguar me vrap.
(M.D/Shuplaka)