Zv/ministrja e Arsimit, Nora Malaj, në një deklaratë për mediat bëri të ditur mbarëvajtjen e procesit të Maturës Shtetërore deri më tani.
Teksa është përmbyllur faza e shlyerjes së provimeve të detyruara, kryesuesja e grupit të punës për maturën shtetërore Nora Malaj u shpreh se janë konstatuar 20 maturantë që kanë shkelur rregulloren pasi janë kapur me celular ose duke kopjuar.
Veç kësaj, ajo bëri me dije se 2.8% e maturantëve, ndryshe 1020 prej tyre kanë rezultuar mbetës, ndërsa 5103 të tjerë kanë marrë 10 absolute.
“Në mbyllje të procesit, 2.8 përqind e maturantëve nuk i kaluan provimet, ndërsa 5130 prej tyre u verësuan me notën 10 absolut. Maturantët janë kapur me telefona, një u kap me kopje, ndërkohë që janë marrë masa edhe për administratorët që kanë lejuar kopjet”, u shpreh Malaj.
Provimi i fundit që do i nënshtrohen maturantët është ai i lëndëve me zgjedhje, i cili do të zhvillohet më 23 qershor. Zv/ministrja përsëriti apelin që maturantët të zbatojnë rregulloren.
(XH.A/SHUPLAKA)