Kryeqyteti nuk iu ka shpëtuar rrebesheve të shiut që në orët e para të mbrëmjes së kaluar, përgjatë gjithë natës si dhe mëngjesin e sotëm, dhe për pasojë janë krijuar mjaft problematika si në qarkullim ashtu edhe në përmbytjet e banesave dhe institucioneve.
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka lajmëruar se për shkak të depërtimit të ujit në katet e para të tre shkollave në kryeqytet, është anuluar procesi mësimor deri në një lajmërim të dytë.
Sipas Shahinit, ekipet janë duke punuar në terren ndërsa zëvendësimi i orëve të humbura do të bëhet në një ditë tjetër ndërsa shkollat e mbyllura do të hapen sërish nesër.
“Për shkak të reshjeve të mbrëmshme janë përmbytur katet e para të shkollës 9-vjeçare “Sabaudin Gabrani”, shkollës 9-vjeçare “Yzberisht” dhe shkollës 9-vjeçare Lalm – të gjitha në Tiranë. Si pasojë, sot në këto shkolla nuk bëhet mësim.
Ekipet e Bashkisë dhe Ministrisë janë duke punuar në terren. Dita e mësimit sot do të zëvendësohet në një ditë tjetër ndërsa po përpiqemi që këto shkolla të hapen nesër”, shkruan Shahini.
(F.GJ/FAXWEB.AL)