Ka mjaftuar një natë me shi që Tirana të gdhihet nën pushtetin e ujit, duke shkaktuar dëme kolosale në banesa dhe në biznese. Zonat më të prekura mbeten ato të periferisë së Tiranës, si Shkoza, Valiasi, Kamza, Unaza e Re apo Tufina, ku banorët janë detyruar që të përballen të vetëm me egërsimin e natyrës.
Banorët shprehen se kjo është një situatë e përsëritur dhe shteti nuk ka ndërhyrë as për të pastruar kanalet e ujërave kulluese. Niveli ujit në shumë prej banesave ka qenë më shumë se gjysmë metri, duke shkaktuar dëme të shumta në orenditë.
Pavarësisht se niveli i ujit ka rënë mëngjesin e sotëm, dëmet mbeten pas, dhe qytetarët shprehen se e kanë të pamundur ekonomikisht që ti riparojnë ato në kohë.
“Kemi që në 9 të darkës që shtëpia është nën ujë. Çdo vit ne përmbytemi, kemi kërkuar ndihmë mbrëmë morëm në telefon dhe nuk na është përgjigjur askush. Jemi detyuruar që të qëndrojmë në katin e dytë të banesës, së bashku me të gjithë pjestarët e familjes”, shprehet banori i Valiasit.
Ndërkohë e njëjta situatë paraqitet dhe në zonën e Tufinës, ku ka pasur rrëshqitje të shumta dherash, dhe për pasojë disa familje ndihen të rrezikuara.
Si pasojë e përmbytjeve 3 shkolla janë mbyllur në Tiranë, për shkak se niveli i ujit bënte të pamundur kalimin e nxënësve.
Nga ana tjetër kryebashkiaku Erion Veliaj e cilëson situatën nën kontroll dhe shton se të gjithë grupt e emergjencave kanë dalë në terren për të qendruar pranë banorëve.
Postimi i Veliajt:
Mirëmëngjes! Ka qenë 1 natë sfiduese për Tiranën me shi sa gjithë muajt e fundit bashkë.
Në zonat informale me ndërtesa nën nivelin e kolektorëve kemi probleme me ujin.
Bashkia Tiranë në gatishmëri! Si për tërmetet, do t’ia dalim edhe kësaj herë me shirat. Pa panik e me solidaritet
(E.K/Faxweb.al)