Deputeti i LSI-së, Shezai Rokaj, ka folur një ditë pas përmbytjeve të mëdha.
Sipas Rokaj moti I keq me pasoja katastrofike për shqiptarët ka zhulosur dhe fasadën rilindase.
REAGIMI I DEPUTETIT
Ky mot i keq e bëri zhul fasadën rilindase! Mot i keq me pasoja katastrofike për familjet shqiptare, për veprat publike. Është momenti për t’u bashkuar dhe për t’u solidarizuar me banorët e këtyre zonave. Qeveria, strukturat e emergjencave, pushteti vendor dhe ushtria lipsen të vihen në ballin e punëve. Por më shumë se në këto ditë të vështira nuk mund të kuptohet më mirë papërgjegjshmëria e qeverive, me në krye qeverinë aktuale. Po shohim se si kozmetika e ekraneve për Shqipërinë e gjeneratës tjetër shpëlahet nga llumi e balta e lumenjve të shfrenuar. Do të shohim sërish shpenzime qeveritare për argjinatura me thasë rëre dhe dëme bagëtish. Qeveria nuk mendoi as për disiplimimin e shtratit të lumenjve, as për shkelësit e ligjit që i gërryen ato, as për mbetjet e qeset plastike të hedhura gjithandej, që në kushte të tilla mblidhen nga ujërat dhe bllokojnë kanalizimet. Nuk ka ndodhur të bllokohet autostrada, e cila i mori lekët e buxhetit me palmat e thara dhe pa kanalizime për ujërat. Mungesa e shtetit e bëri shoqërinë tollovi ndërtimesh informale në zona të rrezikshme për jetën e banorëve. Hidrovoret, kanalet kulluese, rrugët nën nivelin e sipërfaqes, stacionet e shpërndarjes së energjisë që përmbyten, mungesa e magazinave të shtetit me ushqime, mungesa e mjeteve të shpëtimit etj. tregojnë se sa keq e qeverisim këtë vend, tregojnë se si kozmetika e fasadave kthehet në zhul. Mburret pafund qeveria ekraneve se Shqipëria e gjeneratës tjetër gëlon nga sukseset e Rilindjes, por ky mot i keq kozmetikën rilindase po e kthen në baltinë. Sigurisht që duhet të jemi pa dallim bashkë pranë banorëve për ta përballuar këtë situatë të vështirë, por pse qeveria bëhet arrogante e nuk dëgjon kur vjen puna për buxhete, ligje e vendime që shmangin katastrofa të tilla? Si ka mundësi që të gjitha amendimet e propozuara u rrëzuan nga forca e kartonave mbrëmë? As edhe një prej tyre nuk vlente? Vetëm mazhoranca ndjen përgjegjësi për vendin? Vetëm mazhoranca e përfaqëson demokracinë? Jo, miq. Politika shqiptare është me keqe se ky mot i keq, sepse po i bën shqiptarët më të pashresë për vendin e tyre, të zhytur në narkodemokraci, të bërë pis me korrupsion, ku paratë publike shkojnë për fasada. Ky mot i keq e shpëlau fasadën dhe shpërfaqi zhulin.