Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për të verifikuar shkaqet e përmbytjeve në segmentin rrugor të autostradës Tiranë-Durrës, në afërsi të City Park.
Prokurori Ervin Karanxha tha për mediat se do të kryhen verifikime mbi arsyen e bllokimit të sistemit të kullimit. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetares së ”Fax News”, Xhensila Kodra nëse palmat ishin shkaktare të përmbytjeve, Karanxha tha se do të hetohen të gjitha shkaqet e mundshme.
“Nga ana e prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë në koordinim me policinë e shtetit, po shohim verifikime nëse ka elementë apo jo të ndonjë vepre penale, në lidhje me tubat e shkarkimit , turbinat etj. Tani jemi në kuadër të verifikimit, po dokumentohet vlera e dëmit, sa është, nga këqyrja e vendit të ngjarjes do të saktësohet kush ndërtim është me leje, kush ndërtim është pa leje, ose që ka sjellë dëmin.
Objekt i verifikimit do të jenë të gjitha shqetësimet e qytetarëve, do regjistrohet një kallëzim penal dhe do verifikohen të gjitha. Ne jemi të hapur për çdo person që ka pas përmbytje, të paraqitet në prokurorinë e rrethit gjyqësor, Tiranë, me vlerën e dëmit, çfarë dëmi i është shkaktuar nga ngjarja e ndodhur”. (M.Q/Faxweb)