Policia në Dubrovnik ka përfunduar hetimin penal ndaj një 37-vjeçari shqiptar i cili dyshohet për tentativë vrasjeje dhe përndjeke. Sipas të dhënave të hetimit, i dyshuari që nga korriku i vitit të kaluar deri në mesin e majit të këtij viti, ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme një 26-vjeçare shtetase e Bosnje dhe Hercegovinës, e cila qëndron përkohësisht në Kroaci.
Ai disa herë ka shkuar në vendin e saj të punës dhe ka tentuar të fillojë një lidhje dashurie me të, pavarësisht refuzimit të saj. Ngjarja kulmoi mbrëmjen e 13 majit në Dubrovnik, kur shtetasi shqiptar sulmoi fizikisht një të njohur të saj, gjithashtu shtetas i Bosnje-Hercegovinës.
Fillimisht e goditi me grushte në kokë dhe më pas, duke e kërcënuar me vdekje, tentoi ta godasë me një mjet të mprehtë në qafë. Në këtë e pengoi një punonjës i një lokali afër.
Gjatë sulmit, lëndime të lehta morën si i riu i sulmuar, ashtu edhe punonjësi që ndërhyri për ta ndihmuar.
I dyshuari u arrestua shpejt dhe pas përfundimit të hetimeve penale dhe paraqitjes së kallëzimit penal, ai u dërgua mbrëmë vonë në njësinë e paraburgimit të Policisë së Qarkut Dubrovnik-Neretva.