Drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio po shfrytëzon në maksimum 24 orëshin e fundit të merkatos, për të plotësuar organikën e trajnerit Luciano Spalletti.
Një sulmues dhe një mbrojtës qendre, janë objektivat e zikaltërve, për realizimin e të cilave, Ausilio po vazhdon të mbajë takime njëri pas tjetrit.
“Na duhet një mbrojtës dhe një sulmues. Po punojmë për t’i afruar, kur kanë mbetur edhe 24 orë kohë nga mbyllja e merkatos.
Sulmuesi i Caen, Yann Karamoh është objektivi për sulmin dhe negociatat duket se po ecin në rrugë të mbarë, me 19 vjeçarin që ka shprehur hapur preferencën e tij për zikaltrit.
Sa i përket mbrojtjes, pas dështimit të akordit me Arsenalin, për Shkodran Mustafin, Mangala duket se është emri favorit për t’u afruar me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje.
Më herët, Walter Sabatini konfirmoi qëndrimin te zikaltrit të Ansaldit dhe Ranochias, pasi mbrojtësat në dispozicion të Spallettit janë të paktë.
Ai gjithashtu konfirmoi edhe ofertat e shumta që kanë ardhur për huazimin e Gabigol dhe vullnetin e zikaltërve për ta dërguar brazilianin në një tjetër klub, ku mund të gjejë hapësira dhe të fitojë eksperiencë.
Por krahas këtyre lëvizjeve të parashikuara nga mediat italian dhe të pranuara edhe nga drejtuesit zikaltër, Inter sot mund të dhurojë goditjen surprizë të merkatos.
Zikaltrit kanë shfaqur interes për disa futbollistë të PSG-së, si Di Maria, Draxler, Pastore apo Lucas Moura dhe gjastë orëve të fundit të merkatos, ndonjëri prej këtyre mund të përfundojë në Milano, në huazim.
Për shkak të mbipopullimit në repartin e sulmit, francezët e kanë të nevojshme të huazojnë 2-3 futbollistë, qoftë edhe për të shpëtuar nga pagat e tyre të majme.
Në këtë pikë, Interi mund të shfrytëzojë marrëdhëniet e mira të Sabatinit me drejtuesit e PSG-së, për të afruar një emër ‘big’, në repartin e avancuar, çka do të ndihmonte edhe për të rritur entuziazmin e tifozërisë zikaltër.