Ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar në lidhje me përpjekjet për të ndaluar gjykimet lidhur me legjitimitetin e zgjedhjeve të vitit 2019.
Në një shkrim në llogarinë e tij zyrtare të ‘Facebook’, Manjani ka thënë se përpjekjet e pushtetit për të dëmtuar legjitimitetin e zgjedhjeve të 2019, mund të rezultojnë të kota. Sipas tij, kjo nuk është më një çështje që varet nga ata, por nga Gjykata Kushtetuese.
Në shpjegimin e tij të hollësishëm, Manjani ka publikuar edhe nenin, ku ai është mbështetur për të artikuluar mendimin e tij.
Postimi i Plotë
Informacion ligjor:
Përpjekjet e pushtetit për të dëmtuar, mundësisht shuar gjykimin kushtetues mbi legjitimitetin e votimeve moniste të 2019-ës, mund të rezultojnë të kota.
Gjykata Kushtetuese mund të mos pranojë kërkesën eventuale të shoqatës së bashkive për t’u tërhequr nga gjyqi.
Neni 31/b i ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, është një shtesë e reformës në drejtësi. Paragrafi 2 i këtij neni i jep të drejtë Gjykatës që të mos pranojë tërheqjen nga çështja nga kërkuesit, kur çështja është me interes publik.
Mbajtja e zgjedhjeve nga ku buron ushtrimi i pushtetit, është një çështje me interes të lartë publik.
Ndaj përpjekja e monistëve mund të rezultojë e kotë.
Ata (monistët) mund ta vështirësojnë disi gjykimin e çështjes, nëse Gjykata nuk arrin të dëgjojë prerendimet e aryre që hartuan kërkesën. Por edhe kjo është në dorën e Gjyktës, jo të monistëve.
Kështu që monistët le ta heqin Voltanën sa të duan nga shoqata, çështjen e gjyqit nuk e kanë më ata në dorë, por Gjykata Kushtetuese.