Kufizimet e tregtisë së gjelbër të Europës po zemërojnë vendet e varfra. Vetëm më të varfrit mund të përfitojnë ndihmë për të zbutur goditjen ekonomike, shkruan The Economist. Kur donatorët ndihmuan në financimin e shkritores së aluminit Mozal në Mozambik, qëllimi ishte të ndihmonin këtë shtet të varfër të Afrikës së Jugut, që të ndërtonte ekonominë pas një lufte civile.
Në një vend me të ardhura për frymë pak më shumë se 600 dollarë, shkritorja Mozal është punëdhënësi më i madh industrial. Megjithatë, tani synimi i moralshëm për të ndihmuar vendet e varfra që të rriten ekonomikisht, rrezikon të bjerë ndesh me kërkesën e vendeve të pasura për të dekarbonizuar ekonomitë e tyre dhe për të mbrojtur prodhimin vendas.
Më shumë se gjysma e eksporteve të aluminit të Mozambikut shkojnë në BE. Nga viti 2026, importuesit e këtij metali duhet të paguajnë një taksë, sipas mekanizmit të rregullimit të kufirit të karbonit (CBAM), një skemë e krijuar për të siguruar që disa importe në BE që shpenzojnë shumë energji, të paguajnë të njëjtin çmim karboni si industria europiane. Tani për tani, mekanizmi CBAM është në një fazë prove, ku importuesit duhet të dorëzojnë thjesht raporte mbi karbonin e përfshirë në importet e tyre, por nuk është ende nevoja të blejnë leje.
Ama, do të vijë koha kur ata do të jenë të detyruar të paguajnë diferencën midis çmimit të karbonit të paguar në atdhe, dhe kostos së një lejeje në sistemin e tregtimit të emetimeve të BE-së (ETS), që tashmë ka caktuar një çmim prej 62 eurosh (68 dollarë) për ton dioksid karboni. Kjo taksë bën që të bien ndesh përpjekjet për zhvillimin e kapaciteteve industriale të vendeve më të varfra, me qëllimet e BE-së për dekarbonizim. Skema parashikon heqjen e lejeve të lira të emetimeve për industrinë e rëndë.
Mekanizmi europian CBAM kërkon të parandalojë “rrjedhjen e karbonit”: pra, bizneset nuk do të kenë më përparësi konkurruese nga importimi i mallrave nga jashtë bllokut që nuk paguajnë çmimin e karbonit, ose nga zhvendosja e prodhimit gjetiu. Ekonomitë më të varfra të botës kanë dalë kundër kësaj ideje, duke u ankuar se masa të tilla janë pengesa të padrejta tregtare që ua ngarkojnë barrën e dekarbonizimit vendeve që kanë kontribuar më pak në këtë problem.
Shtete si Afrika e Jugut dhe India, po mendojnë të bëjnë një ankesë për mekanizmin CBAM, në Organizatën Botërore të Tregtisë. CBAM është vetëm një mënyrë sesi ambientalizmi europian po zgjeron shtrirjen e vet. Herët a vonë, eksportuesit duhet të përballen me një direktivë për shpyllëzimin, sipas së cilës, firmat duhet të provojnë se produktet e tyre nuk janë prodhuar në tokë që ishte pyll para vitit 2021, dhe një direktivë për qëndrueshmërinë e korporatave, që i detyron bizneset të tregojnë emetimet e karbonit të zinxhirëve të tyre të furnizimit.
Në një shkallë të përgjithshme, goditja që do të shkaktojë mekanizmi CBAM ndaj vendeve më të varfra, është e vogël. Një studim nga Fondacioni Afrikan i Klimës dhe Instituti LSE Firoz Lalji, vlerëson se skema do të ulte PBB-në e Afrikës me vetëm 0.91%, pasi shumica e mallrave të prekura do të hynin drejt tregjeve të tjera.
Sidoqoftë, disa vende do të goditeshin rëndë. Për shembull, rreth 90% e eksporteve të hekurit dhe çelikut të Zimbabves, shkojnë në BE.
Një studim i Bankës Botërore tregon se India, Rusia dhe Ukraina, do të dëmtohen më tepër, për shkak të nivelit të lartë të karbonit që lidhet me eksportet e tyre dhe varësisë së këtyre shteteve nga tregtia me BE-në. Ukraina mund të përjashtohet nga rregullat, sipas klauzolave të forcës madhore, për shkak të pushtimit rus. Taksat kufitare të karbonit nuk janë vendosur vetëm nga BE-ja. Edhe Britania dhe Australia po mendojnë të bëjnë diçka të ngjashme. Disa propozime për taksa të tilla po gjejnë mbështetje edhe në Kongresin Amerikan.
Një akt i propozuar për tarifën e ndotjes së huaj do t’i detyronte importuesit të paguanin një tarifë të caktuar, duke u mbështetur në diferencën midis intensitetit mesatar të emetimit të karbonit që lëshon një produkt i prodhuar në vendin eksportues, dhe në Amerikë. Një tjetër, i njohur si Akti i Konkurrencës së Pastër, do të ndërthurte rregullimin e kufirit të emetimit të karbonit, me një çmim të brendshëm.
Shtetet më të varfra të botës ankohen se mekanizmi europian CBAM dhe të tjerë të ngjashëm me të, nuk po llogarisin kushtin e Marrëveshjes së Klimës së Parisit, e cila kërkon që shtetet e pasura të bëjnë më shumë përpjekje për dekarbonizimin sesa ato të varfra. Logjika për këtë është se karboni është një input prodhimi që duhet të ketë çmime të ndryshme në kontekste të ndryshme. Për shembull, një shkritore alumini në Suedi duhet të paguajë një çmim më të lartë se një në Mozambik, pasi suedezët kanë konsumuar më shumë nga buxheti i karbonit në botë.
BE-ja ende nuk e ka vendosur si do t’u përgjigjet qortimeve të vendeve më të varfra. Pascal Lamy, ish-komisioner për tregtinë e BE-së, ka propozuar një paketë ndihme të posaçme për Mozambikun. Vendi mbështetet shumë në energjinë hidroelektrike me karbon të ulët, por shkritorja Mozal duhet të importojë energji elektrike nëpërmjet rrjetit të thëngjillit të Afrikës së Jugut.
Mund të përdoret Ndihma Europiane për Zhvillim, për të siguruar që shkritorja Mozal të jetë në përputhje me mekanizmin CBAM. Një mundësi tjetër mund të jetë riciklimi i një pjese të të ardhurave, për ta kaluar në financat ndërkombëtare për klimën. Vendet me të ardhura të mesme nuk kanë rrugë tjetër veçse të përballen me këtë realitet të ri. Çdo e ardhur e riatdhesuar do të jetë shumë më e vogël se financimi i nevojshëm për të kompensuar tregtinë e humbur. Disa po krijojnë sistemet e veta të tregtimit të emetimeve.
Kështu ka bërë Turqia, e cila eksporton energji elektrike në BE. Kina së fundmi shtoi çelikun, aluminin dhe çimenton në tregun e vet të karbonit, duke imituar mekanizmin CBAM. Nderkohe, India po shqyrton si mundësi tatimin e eksporteve me emetim të lartë karboni që do të shkojnë në BE, duke mbajtur për vete të ardhurat që do t’i kishte marrë blloku europian. Shumë europianë do të gëzohen për këtë, edhe nëse duhet të paguajnë çmime më të larta. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për punëtorët në vendet në zhvillim./Monitor