05:04 | 05/06/2025
Nuk ka rezultat
View All Result
FaxWeb
  • Faqja Kryesore
    • Kontakt
  • Politikë
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Veç e jona
  • Kosova
  • Bota
  • Sport
  • ShowBiz
  • Emisione
  • Faqja Kryesore
    • Kontakt
  • Politikë
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Veç e jona
  • Kosova
  • Bota
  • Sport
  • ShowBiz
  • Emisione
Nuk ka rezultat
View All Result
FaxWeb
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Aktualitet

Përplasen gazetarët për deputetin demokrat, Kazhani: Ia mori në kthesë edhe Gon Llakës, Lela: Një tufë sharabajgash dhe halldupësh papritur zbuluan standardin!

09:51 | 14/09/2017
në Aktualitet, Flash, Kryesore, Te Fundit, Te Gjitha
0
Përplasen gazetarët për deputetin demokrat, Kazhani: Ia mori në kthesë edhe Gon Llakës, Lela: Një tufë sharabajgash dhe halldupësh papritur zbuluan standardin!

Përplasen gazetarët pas fjalimit të deputetit demokrat Agron Shehaj.

Kryeministri Rama me ministrat e tij qeshnin në kor, edhe pse Shehaj nuk bëri asnjë gafë përveçse po u rrëfente se i kishin mbyllur llogarinë e tij në Angli pasi ishte bërë politikan. Por analisti Alfred Lela dhe gazetarja Mira Kazhani janë përplasur në idetë e tyre, për mënyrën si e kanë lexuar të gjithë këtë.

”Ky është një parlament i pangjashëm. Pas fjalimeve të yjeve të Bashës parlamenti është qesharak. Madje mendoj që Goni i Bashës, ia mori në kthesë edhe Gon Llakës”, shkruan Kazhani.

KOMENTI I PLOTË I ALFRED LELËS:

”Dua që në fillimtë deklaroj konfliktin tim të interesit në këtë avokati. E kam mik Agronin. Lexuesit e sinqertë, le ta zbresin këtë përqindje nga ajo që kam për të thënë, jo për njeriun Agron Shehaj, por për deputetin Agron Shehaj. (Me ata që dalin rrugëve të internetit për të hequr kapakët e pusetave të gojëve dhe mendjeve të tyre, i kam mbyllur hesapet, ngaqë jam mësuar me kutërbimin).

Njeriu Agron Shehaj nuk do kishte nevojë për mbështetje, por për një paraqitje po.

Ai është një 40 vjeçar, i ikur në pranverën e 13-të nga Shqipëria. Në një anije ushtarake që nisej nga porti i Himarës. Bashkë me prindërit dhe vëllezërit. Bash në kohën kur, një pjesë e mirë e atyre që i kishte pas dhe përballë dje në Parlament, qanin me oi pushtetin e etërve që po humbte në duart e ‘vandalëve’.

Në Itali jetoi dhe studioi dhe u kthye këtej në vitin 2005. Me Italishten si gjuhë, kulturë dhe nënshtetësi, por edhe me përvojën dhe një ide që i shndriti. 12 vjet më parë ai hapi biznesin e tij të parë. Sot numëron disa në Shqipëri, Itali dhe Britani, dhe hyn te klasa e kapitalistëve të rinj shqiptarë.

Krejt ndryshe nga i pasuri shqiptar që e ndesh rëndom, dhe po aq e imagjinon, dhe të cilit mund t’ja hamendësosh origjinën e pasurisë, sjelljet e diskutueshme, injorancën sociale, Agron Shehaj është ndërtuar mbi idenë e vet dhe forca e saj i ka prodhuar edhe pasurinë.

Vendimi i tij për t’u futur në politikë nuk ka qenë, as i shpejtë dhe as i lehtë. Ata që e njohin, e dinë se është menduar gjatë, e mezi ka thënë po, në fund. Mund t’ja lexosh ende atë dyshim, herë pas here, kur heshtja e bisedave bëhet hon.

Me intuitën e një sipërmarrësi, e ka ndjerë se do të përballej me poshtërsi të panumërta në rrugëtimin politik.

Nuk është se siluetën e tyre nuk e ndeshi gjatë fushatës elektorale. Por ‘Irmën e poshtërsive’ e takoi pas fjalimit të parë në parlament.

Sapo panë Agron Shehajn, një tufë sharabajkash dhe halldupësh të Kuvendit politik dhe mexhlisit të internetit, papritur zbuluan standardin. Kuptuan se parlamenti i ri, pavarësisht se për katër vjet u popullua nga njerëz të rripit e të pisqollës; pavarësisht se për katër vjet do të ketë në krye njeriun që drejtoi Ministrinë e Punëve të Brendshme të Enver Hoxhës; papritur, qenka bërë i padurueshëm dhe qesharak me deputetin e ri të Partisë Demokratike, Agron Shehaj.

Papandehur, skupicat (term i Agron Tufës) e shkimbën neonin e logjikës, kaluan symbylltazi mbi kapituj shkrimesh promocionale për dreqin e të birin, dhe zbuluan standardin e fildishtë politik. Shpallën se në të Agron Shehaj nuk përket. Me këtë zbulesë i vunë vetes edhe spaletat shkëlqimtare të mjeshtrave të shqipes, komunikimit, parlamentarizmit, shkencës politike, e me radhë.

Çfarë kishte vallë të ububushme (term i Kadaresë) në fjalimin e Agron Shehajt? Asgjë tjetër veç NEVERISE.

Agroni, me anë të atij fjalimi, guxoi të bënte publike përbuzjen e tij për atë lloj politike dhe atë lloj pushteti që përfaqësohej te ajo shumicë e majtë, që i falej ministrit të fundit të policisë politike të diktaturës, dhe një aleance, tashmë të pranuar nga vetë Rama, me krimin dhe drogën.

Neverinë e ilustroi me një gjë të thjeshtë: Banka angleze i kishte mbyllur llogarinë tri ditë pasi ishte informuar se statusi i tij, nga sipërmarrës italian, ishte shndërruar në politikan shqiptar.

Agroni nuk është i lumtur me këtë veprim të anglezëve. Sepse edhe ai ndjehet i përçmuar. Sepse edhe ai ndjehet shqiptar. Kjo nuk e pengoi ama, që ta bënte publike neverinë e të tjerëve për të dhe për ata që do të ishin bashkëudhëtarët e tij në atë sallë.

Ai nuk po e tundte neverinë si shpatë, por po e hidhte te këmbët e tyre si thirrje për exit, për dalje për ndryshim, për ekzorcizëm

Shakllabanat (term i Fishtës) nuk e njohin neverinë. Ajo ka fuqinë të strehohet vetëm në shpirtra mbi mesataren.

Dhe, kështu, të paneveritur, të sigurt në fuqinë e shpërlljes, zhgani i bejlurçinave (term i Konicës) të tranzicionit, aty të pranishëm ngaqë askush nuk ka neveri në këtë vend, u pasua nga cheer leaders-at mediatikë.

Kjo pra është drama me një akt.

E jona.

Edhe pse na e paraqiti, me guximin e një labi dhe sigurinë e një kapitalisti, Agron Shehaj.” (V.G/SHUPLAKA)

Etiketa: agron shehajalfred leladeputeti demokratKuvendmira kazhani
Pas

Priste dru pa leje dhe dhunoi inspektorin e mbrojtjes së pyejeve, shpallet në kërkim 43 vjeçari në Vlorë

Para

Mbërrin në zyrën e ministrit kroat të Drejtësisë dosja e Ismail Morinës

Para
“Ismail Morina e ka vendosur, më mirë i vdekur se në Serbi”

Mbërrin në zyrën e ministrit kroat të Drejtësisë dosja e Ismail Morinës

Discussion about this post

 



Të Fundit

Vatikani zbardh bisedën e Papës me Putinin, ja çfarë i kërkoi Ati i Shenjtë presidentit rus

Arabia Saudite merr masa për të parandaluar vdekjet nga nxehtësia gjatë Haxhit 2025

Rusia sërish mesazh Vuçiçit: Serbia i kupton rreziqet e rënies së armëve të tyre në duart e Kievit

Treni përplas makinën në Gjermani, humb jetën shoferi

Çështja e detit, ministri Hasani flet për “Kathimerinin”: Të vendosur ta zgjidhim, pjesë e një dialogu dhe bashkëpunimi konstruktiv

Kremlini akuza Perëndimit për përfshirje në “sulme terroriste” ndaj civilëve në Rusi

ZYRTARE/ Xhuljo Tabaku rinovon kontratën me Vorën

Protesta në Sofje, kundër anëtarësimit në eurozonë

Konfirmohet rasti i parë i murtajës së ruminantëve të vegjël në Shqipëri

Milani mbush arkën, shet futbollistin më të mirë të sezonit, thyen edhe transferimin e Kaká

© Copyright 2025, Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara, Dev by Techzero1.com.

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Faqja Kryesore
    • Kontakt
  • Politikë
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Veç e jona
  • Kosova
  • Bota
  • Sport
  • ShowBiz
  • Emisione

© Copyright 2025, Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara, Dev by Techzero1.com.