Deputeti demokrat Flamur Noka u përplas sot në Kuvend me kryetarin e partisë Mundësia, Agron Shehaj, pasi ky i fundit bllokoi foltoren.
Ai tha se “kjo ishte hera e parë që ai dhunohet në Kuvend nga një përfaqësues i opozitës”.
Shehaj tha se sot në Kuvend ai donte të fliste për aferën e rrugës Thumanë-Kashar prej 1.3 mld eurosh.
Sipas Shehajt fakti që ai u largua me dhunë nga foltorja nga një deputet demokrat, do të thotë se përfituesit e aferës korruptive nuk kanë raporte të mira vetëm me mazhorancën por edhe me opozitën.
Shehaj: Një përfaqësues i opozitës, që jam unë kërkova të flisja për skandalin 1.3 mld euro, largohet me dhunë nga foltorja. Nuk u largova me dhunë nga mazhoranca por nga një përfaqësues i opozitës..me sa duket edhe opozita nuk do që të flitet për këtë aferë 1.3 mld euro, sepse me sa duket përfituesit oligarkët që përfitojnë nuk e kanë mirë vetëm me mazhorancën por e kanë mirë edhe me opozitën. Opozita dhunoi sot një përfaqësues të opozitës, i cili thjesht donte të denonconte një vjedhje prej 1.3 mld euro ku janë shkelur procedurat dhe është shkelur ligji.