Kryeprokurorja e re e Përkohshme Arta Marku ka nisur të veprojë. Shenjat u panë që në momentin e betimit, kur Marku në një fraksion sekondar i denjë për pista olimpiadash më shpejt përfundoi tekstin e betimit sesa e nisi.
Që prej asaj dite, disa ngjarje kanë piketuar atë që mund të quhet “përplasje” mes Rovena Gashit dhe kryeprokurores Arta Marku.
Shkak fillestar u bë kërkesa e Gashit drejtuar KQZ-së për heqjen e mandatit për dy deputetët, Gledion Rehovica e Aqif Rakipi.
Kryeprokurorja Marku e shkarkoi Gashin me arsyetimin se në kërkesën nisur KQZ-së, Gashi nuk kishte në letër firmën e Arta Markut.
Marku siç duket është ndjerë e anashkaluar nga veprimi i Gashit dhe vendosi ta shkarkojë.
Ish-drejtorja Rovena Gashi vendosi ta padisë Markun në Gjykatën Administrative.
Në padinë e Rovena Gashit thuhet:
“Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, në zyrën e saj, në prani të dy prokurorëve të tjerë në Prokurorinë e Përgjithshme me funksione drejtuese, dhe konkretisht Adnan Xholi, Drejtor i Drejtorisë Gjyqësore dhe Thoma Jano, Drejtor i Drejtorisë së Përgjimeve, i ka deklaruar paditeses Rovena Gashi se:
«Dërgimi në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, të vendimeve të Sektorit të Dekriminalizimit, në lidhje me rezultatat e verikimit për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Aqif Rakipi dhe Gledjon Rehovica, pa u konsultuar paraprakisht me të dhe pa firmën e saj, përbën shkelje ligjore dhe etike. Për këtë qëllim, lirohesh nga detyra e Drejtorit të kësaj Drejtorie».”
Pak minuta pasi në media u bë publike padia e Gashit, menjëherë Kryeprokuroria reagoi me një kundër vendim.
Arta Marku vendosi të shkarkonte nga detyra bashkëshortin e Gashit, kryeprokurorin e Elbasanit, Dritan Ginën.
Motivacioni për shkarkimin e tij nga ana e prokurorisë ishte në kuadër të lëvizjeve rutinë në organin e akuzës.
Nga ana tjetër, Gina njoftoi një konferencë direkte me mediat.
Në daljen e tij live nga zyra e Prokurorit të Elbasanit, Gina tha se nuk do tërhiqet nga detyra, nuk do dalë nga zyra dhe shtoi se vendimi për shkarkimin e tij është i paligjshëm, pasi Marku nuk ka kompetenca për shkarkime apo riemërime.
“Pas kundërvëniesh publike është gjetur mënyra më e mirë në lëvizjen e radhës, ky është sinjal për prokurorët që kushdo që i sulmon mund ta pësojë me vendin e punës. Prokurorja e përgjithshme e përkohshme ka vendosur të largohem pa asnjë tagër me bazë ligjore, vendimmarrja nuk bazohet në asnjë analizë pune dhe problematike, nuk ka kërkuar asnjë analizë dhe asnjë mbledhje për të parë problematikat e prokurorisë shqiptare sepse kjo nuk i intereson aspak”- tha ai.
Nuk dihet nëse kërkesa për heqjen e mandatit të Gledion Rehovicës dhe Aqif Rakipit ka qenë kaq e papritur për Kryeprokuroren Marku, për të marrë një sërë masash të tilla.
Mbetet për t’u parë sesi do vijojë situata brenda Prokurorisë, tani që Vettingu ka nisur dhe siç ka thënë dhe ambasadori Lu “ Në Janar do kapen peshqit e mëdhenj”.
(F.G/Faxweb)