Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio i kërkoi Zelenskyt të kërkonte falje pas përplasjes me presidentin Trump në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë.
Ai duhet të kërkojë ndjesë për humbjen e kohës sonë me një takim që përfundoi në këtë mënyrë,” deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë një interviste për CNN.
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk e sheh të mundur diskutimin për garanci sigurie për Ukrainën pa arritur më parë një marrëveshje paqeje, shtoi më tej.
“Pse duhet të flas për garanci sigurie për Ukrainën? Së pari, më lini të arrij një marrëveshje paqeje,” tha Rubio, duke përcjellë qëndrimin e Trump. “Kjo nuk do të thotë,” shtoi ai, “që garancitë nuk mund të përfshihen si pjesë e negociatave, por më parë duhet të ketë një marrëveshje. Çfarë paqeje ka për të garantuar nëse nuk ka ende një marrëveshje paqeje?”
Ndërkohë agjencia ruse e lajmeve Tass duke cituar një zyrtar të lartë të Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk është i interesuar të rishikojë ose të ringjallë marrëveshjen për mineralet e rralla me Ukrainën për momentin.
Sipas këtij zyrtari, përfaqësuesit e delegacionit ukrainas “filluan të luteshin” për të firmosur marrëveshjen menjëherë pasi u ftuan të largoheshin nga Shtëpia e Bardhë.
Ndërkohë agjencia e lajmeve Interfax shkruan se Presidenti Trump deklaroi se Ukraina duhet të drejtohet nga dikush që është i gatshëm për paqe pas përplasjes në zyrën ovale.
“Nuk ka rëndësi kush do të drejtojë Ukrainën, për sa kohë që ai person është i gatshëm të zgjidhë konfliktin me Rusinë në mënyrë paqësore.”
“Jam dakord me këdo që bën paqe,” tha Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, kur u pyet nëse mendonte që Zelensky duhet të japë dorëheqjen. Ai shtoi se presidenti ukrainas mund të jetë ende në gjendje të arrijë një zgjidhje paqësore të konfliktit.
” Ndoshta mund ta bëjë paqen. Ndoshta nuk mundet. Por unë kam nevojë për dikë që mund ta zgjidhë problemin në mënyrë paqësore,” theksoi Trump.
Sipas presidentit amerikan, Zelensky “duhet thjesht të deklarojë se dëshiron paqen. Por në vend të kësaj, ai del dhe nuk bën gjë tjetër veçse flet negativisht për Putinin. Nuk kam nevojë që kjo luftë të vazhdojë,” përfundoi ai.