Prej dy ditësh studentë dhe pedagogë të Universitetit Bujqësor të Tiranës kanë dalë në protestë për shkak se një pjesë e fidanishtes dhe e vreshtave, që shërbenin për orët laboratorike, do të prishen, për shkak se në këtë truall sipas Bashkisë së Tiranës do të ndërtohet një shkollë 9-vjeçare.
Studentët dhe pedagogët shprehen se nuk janë kundër shkollës, po ajo nuk mund të ndërtohet në truallin e Universitetit, sa kohë që ndikon negativisht në procesin e tyre mësimor, ku orët në terren kanë një rol shumë të rëndësishëm.
Mirëpo sipas Bashkisë së Tiranës, trualli në fjalë nuk i përket Universitetit por vetë Bashkisë, dhe se shkolla 9-vjeçare që do të ndërtohet do t’i vijë në ndihmë të gjithë zonës, që vitet e fundit ka një fluks të shtuar të popullimit të saj. Madje kryebashkiaku Veliaj në reagimin e tij, thotëse protesta e pedagogëve dhe studentëve është një turp dhe histeri.
Jo më larg se mëngjesin e sotëm në zonë kanë mbërritur forca të shumta të Policisë së Rendit dhe asaj Bashkiake, edhe pse sipas studentëve kjo është në shkelje të hapur të ligjit për Arsimit e Lartë.
I pyetur nga gazetarja e Fax News Eksiola Shehu, rektori i UBT-së Bahri Musabelliu shprehet se ai nuk ka kërkuar ndërhyrjen e policisë, duke faktuar atë që thonë studentët se ndërhyja e efektivëve është e paligjshme.
Në këtë kuadër pak ditë më parë kryeministri Rama ritheksonte deklaratat e tij për lirinë universitare, ku thoshte se Policia nuk mund të ndërhyjë pa kërkesë të rektorit. Mirëpo sot studentët denoncuan se ndiheshin të kërcënuar nga prania e madhe e policisë, që sipas tyre ishin më të shumtë në numër dhe se vetë ata.
Nga ana e studentëve u tha se ky konflikt për pronën e Universitetit mund të shërbejë si pikënisje për protestën e ardhshme studentore, sa kohë që kërkesat që ata parashtruan në ufndin e vitit të kaluar nuk janë marrë parasysh nga ana e qeverisë.
“Ne do të qëndrojmë më gjatë se banorët e Astirit në protestë. Senati Akademik është kundër uzurpimit të këtij territorit. Një pjesë e profesorëve që kanë dalë kundër protestë më duken ose sikur janë të blerë ose sikur i kanë hedhur trutë e gomarit. Mund të jetë një fillesë e protestë studentore. Pakti për Universitertin ishte një tallje me studentët. Kërkojmë zgjidhje të problemeve. 70 % e studentëve janë jashtë. Do rrimë deri në orët e para të mbasdites për shkak se dhe punojmë dhe mbajmë veten dhe familjen”, thanë më herët studentët në mikrofonin.
(E.K/FAXWEB.AL)