Mos dekretimi i Metës të Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm shënoi precedentin e parë duke çuar në një përplasje mes mazhorancës dhe institucionit të Presidentit. I ftuar në studion e “Top Talk” juristi dhe konstitucionalisti Jordan Daci tha se shanset për të shkarkuar Presidentin e Republikës janë zero.
Teksa rendit anët ligjore, Daci u shpreh se shkelja e kushtetutës e pretenduar nga mazhoranca, duhet të vërtetohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Juristi ndër të tjera tha se kjo është një lojë shahu, pa arbitër.
“Mundësitë për të shkarkuar Presidentin e Republikës, aq më pak këtë aktualin, janë zero. E para, që shkelja kushtetuese të ekzistojë do të duhet të vërtetohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Vetëm ajo mund të thotë nëse presidenti e ka shkelur apo jo Kushtetutën. Kjo situatë është mburojë për presidentin, sikurse edhe për qeverinë për shumë probleme të tjera, për të cilat do të përballej në Kushtetuesen. Boshllëku po shfrytëzohet nga të dyja palët. Kjo është një lojë shahu, siç e tha kryeministri, por është pa arbitër, sepse s’kemi Gjykatë Kushtetuese”, përfundoi Daci.
Ndërkaq për Dacin emërimi si zv.ministër i Sandër Lleshajt nuk e zgjidh ngërçin kushtetues dhe institucional me të cilin do të përballet Ministria e Brendshme, për arsye se ky i emëruar nuk mund t’i ushtrojë të gjitha kompetencat e një ministri të Brendshëm.
“Rezerva kushtetuese i ngarkon ministrit dhe vetëm ministrit disa kompetenca të caktuara. Asnjë zëvendës, qoftë me autorizim apo delegim nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Për më tepër që delegimi i kompetencave nënkupton një periudhë krejtësisht kalimtare, të kufizuar në kohë dhe në veprime”, tha Daci.
Discussion about this post