Elbasani është tronditur këtë mesditë nga një vrasje në lagjen 5 Maji, që dyshohet se ka prapavijë politike. Burime bëjnë me dije se është ekzekutuar me armë zjarri Pjerin Xhuvani, ndërsa dyshohet se ka dhe dy persona të plagosur, mes tyre dhe një efektiv policie.
Së fundi Xhuvani kishte kaluar me PS-në dhe u akuzua si një nga nxitësit e dhunës që ndodhi ditën e verës në Elbasan, ku pati përplasje mes mbështetësve të forcave politike, pas takimeve në të njëjtin orar të Ramës dhe Bashës.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se në vendin ku ka ndodhur vrasja janë dëgjuar më shumë se 20 të shtëna.
Burimet bënë me dije fillimisht për Faxweb.al se në vendin ku u vra Xhuvani ishte konstatuar një mjet që po shpërndante para, në kuadër të blerjes së votave për 25 Prillin.
Në vendngjarje janë mbledhur forca të shumta policie dhe 4 autoambulanca, pasi raportohet se ka mbetur i plagosur edhe një efektiv policie.
Në një komunikim për Fax News, kreu i shtabit elektoral të PD-së Gazment Bardhi, tha se në një makinë që është brenda perimetrit ku ka ndodhur vrasja, ka para dhe mjete identifikimi që synojnë të blejnë votat në 25 Prill.
(E.K/Faxweb.al)