Projektligji për ndërtimin e aeroportit të Vlorës ka qenë tema e diskutimit të sotëm në Komisionin e Ligjeve.
I pranishëm në këtë komisonin ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka raportuar për detajet e pr.ligjit, të cilat nuk janë votuar nga PD dhe LSI.
Sipas Gjiknurit, ky aeroport do të jetë me përfitim të madh ekonomik dhe ndërtimi i tij bëhet në një kohë që nevojat për fluturime janë rritur.
“Vlora do të ketë një aeroport me fitim ekonomik pasi nevojat për fluturime janë rritur. Do të jetë një investim prej 100 milion eurosh dhe tërësisht privat”, ka thënë Gjiknuri.
Mes të tjerash Gjiknuri ka theksuar se ky aeroport do të punësojë të paktën një 1000 punëtorë të përhershëm dhe do të sjellë një interes ekonomik për zonën e Novoselës.
“Kontrata që kemi negociuar do të kalohet në Parlament ditën e enjte”, u shpreh Gjiknuri.
Gjithashtu deputeti i PS në qarkun e Vlorës, Alket Hyseni tha se, “shqiptarët janë ankuar për çmimet, shërbimin dhe largësinë e një aeroporti të vetëm dhe ky aeroport i ri i jep zgjidhje këtyre ankesave”.
Në vijim të debatit për aeroportin, deputeti i LSI, Edmond Panariti ka përshëndetur ndërtimin e këtij aeroporti duke thënë se, “nevojat aeroportuale janë evidente, nuk kemi pse te mos e përshëndesim këtë iniciativë”.
Ndryshe nga deputeti i LSI, Eduart Halimi i PD ka shpërthyer kundër qeverisë se ky aeroport duhej të bëhet me paratë publike.
“Ne duam të dimë risqet. Ne nuk mund të japim votën nëse nuk dimë rrezikun që marrim përsipër. Bëjeni me para publike. 160 mln euro i keni harxhuar për shatërvanë e kalldrëmë. Pse nuk bëtë aeroport? Me 100 mln eurot e Vilma Nushit pse nuk bëtë aeroport? I keni marrë mendim Nazer Seitit për këtë aeroport? A ka dhënë OK ai?!”, tha Halimi.
Ministri Gjiknuri është përgjigjur këtyre akuzave duke thënë se, “ju ndaj jeni në opozitë e në mitingun e radhës, se merreni me Divjakën e Nazerin. Ne po udhëheqim vendin. Ne bëjmë edhe shatërvanë edhe aeroporte”.
(E.K/FAXWEB)