Një ditë më parë, zëvendësministrja e Mirëqënies Sociale Braho akuzoi deputeten socialiste Arta Dade për qëndrimin e saj ndaj çështjes së Çamërisë dhe faktorit PDIU në qeveri. Ajo u shpreh se Dade nuk do të arrijë dot Presidencën, (një post për të cilin Dade u shpreh se nuk e refuzon nëse i ofrohet) në rast se vazhdon të sulmojë PDIU-në.
Kjo deklaratë e saj vjen pas debatit të gjatë të deputetes me kreun e PDIU-së Shpëtim Idrizin në Konferencën e Kryetarëve. Pavarësisht se dy deputetë socialistë, Artan Gaçi dhe Enkelejda Shkreli kanë bashkëfirmosur me PDIU-në ngritjen e një komisioni parlamentar për vlerësimin e gjenocidit e Çamërisë nga shteti grek, PS dhe LSI e kundërshtuan fort këtë nismë.
Shkak i përplasjes është bërë qëndrimi i Dades, e cila i ka thënë Idrizit se çështja e Çamërisë nuk është emergjente. Në debatin e zbardhur nga “shqiptarja.com”, ndër të tjera Shpëtim Idrizi kërkon që çështja të çohet në seancë me votë duke i dhënë fund debatit. Ndërsa Dade shprehet se nuk mund të bjerë dakord me mënyrën se si shtrohen kërkesat.
Debati
Arta Dade – Thashë që nuk është emergjente dhe nuk fola për rëndësi të veçantë. Të lutem mos shtrembëroni fjalët e mia.
Shpëtim Idrizi – Atëherë për zonjën Dade mund të mos jetë çështje emergjente, normal, por ne që kemi nja 70 vjet që presim është dhe e ka kaluar çështjen e emergjencës. Kjo është çështje vlerësimi dhe unë nuk kam asgjë me zonjën Dade që e mendon kështu këtë gjë.
Objekti është i qartë dhe është i shkruar këtu. Kush nuk e ka lexuar mund ta lexojë ose mund t’ia lexoj edhe unë. Ky është vullneti i 7 deputetëve, të cilët kërkojnë që të ngrenë një komision të posaçëm…. në rregull, është më kollaj hetimor apo në përputhje në rastet e komisionit hetimor, në mënyrë që të hetojë dhe të evidentojë të gjitha faktet.
Për këtë arsye ne kemi parashikuar që të thërrasim pikërisht në këtë komision hetimor ata që janë gjallë, historianët, ato dokumente që janë në arkivat e shtetit Shqiptar dhe t’i mbledhim. Në rregull, po i referohemi rastit të Tivarit, i cili ishte komision hetimor dhe jam plotësisht dakord që ta bëjmë komision hetimor.
***
Shpëtim Idrizi- Hajde ta çojmë në seancë dhe të shprehen deputet me votë edhe ta mbyllim këtë histori. Ne sikur po bëjmë diskutim formal neni aq e neni kaq, por nëse duhet të ngrihet apo jo, ky është vullneti jonë. Më pas nëse nuk janë dakord hajde ta kalojmë në seancë.
Arta Dade – Zoti Kryetar, unë nuk mund të bie dakord me mënyrën sesi shtrohen kërkesat këtu dhe aq më tepër nuk mund të bie dakord me retorikën. Askush nuk ka të drejtë që t’i veshë vetes së vet autoritete të pa përcaktuara, as nga ligji, as nga Kushtetuta dhe mbi të gjitha nga etika e komunikimit.
Presioni që ushtrohet këtu në Konferencën e Kryetarëve se dikush do vlerësojë qëndrimet e deputetëve dhe madje dhe forcave politike për mua është i pa pranueshëm. Secila forcë politike apo individ i caktuar ka të drejtë të ndjekë qëllimet e veta për të cilën e ka krijuar një parti dhe nuk ka asnjë të drejtë që të imponojë këtu dhe të bëjë komente mbi konstatimet dhe mbi vlerësimet që bëjnë anëtarët e barabartë të kësaj Konference, qoftë ky nënkryetar Kuvendi apo çfarë të jetë!
Për mua është e pa pranueshme regjistri i gjuhës, komunikimi, mënyra se si kërkohet të imponohet. Ne nuk do bëjmë aventura, i përmbahem qëndrimit tim që koha e mbetur deri në zgjedhje nuk na lejon që të merremi dhe të bëjmë një punë të pjekur për qëllimin që ka zoti Idrizi, i cili është shumë i mirë. Por personalisht e refuzoj dhe nuk pranoj që të vlerësojë zoti Idrizi për punën që bëj unë njëherë si individ këtu në parlament dhe pastaj dhe për detyrat e tjera. Faleminderit.
Shpëtim Idrizi – E kam dëgjuar nja 100-të herë zonjën Dade. Zonja Dade unë këtu nuk të dëgjoj më, dëgjo ti tani.
Arta Dade – Ti nuk e vlerëson dot punën time.
Shpëtim Idrizi – As ti nuk më vlerëson dot mua. Zonja Dade nuk të kam fyer dhe nuk të kam folur më shumë se ç’duhet as për ju dhe as për njeri tjetër. T’u referova vetëm në një pikë dhe më the se nuk është emergjente apo jo! Bukuri! Të thashë që për ju mund të mos jetë emergjente, për ne është emergjente.
Edhe unë e refuzoj kategorikisht këtë gjuhë. E ke përdorur edhe përpara 4 vjetëve, e ke përdorur edhe përpara 3 muajve dhe prandaj të thashë që në këtë komision nuk do marrim pjesë vetëm ne të 7-të, por do jenë të gjitha forcat politike. Dhe nëse mendojnë se do kenë kredo le t’i marrin të gjitha forcat politike kredot. Këtë debat e kemi bërë bashkë dhe përpara 4 vjetëve, kur ka qenë rezoluta, e kemi bërë bashkë edhe përpara 2-3 muajve. Gjatë gjithë kohës kam ruajtur etikën me Ju, ruajeni dhe Ju me mua!
(XH.A/SHUPLAKA)