Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, u kërkon partive politike që të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje, pasi gjuha e dhunës nuk i shërben askujt dhe aq më pak qytetarëve.
KQZ kërkon nga garuesit në zgjedhjet e Prillit që të mos kenë përplasje të ashpra me kundërshtarët e tyre, pasi kjo nuk i shërben aspak klimës politike në vend. Kjo deklaratë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vjen pas përplasjeve të Elbasanit, i cili rezulton dhe ka premisa që të mbetet një prej qarqeve me më shumë përplasje deri në 25 Prill.
Deklarata e plotë e KQZ-SË:
Duke marrë në konsideratë retorikën politike të ditëve të fundit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përmbushje të përgjegjësive të veta dhe me qëllimin për të përgatitur, zhvilluar dhe administruar zgjedhjet e datës 25 prill, në përputhje me standardet më të mira për zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme, i bën apel të gjithëaktorëve politik për vetëpërmbajtje dhe maturi në sjlljen dhe mesazhet politike dhe elektorale të tyre.
Duhet mbajtur në vemendje se sjellja dhe retorika e udhëheqësve dhepërfaqësuesve politik ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë tek mbështetësit e tyre, ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në cënimin e standardeve të zgjedhjeve në vendin tonë.
Partitë politike janë një element themelor i sistemit demokratik të vendit dhe janë një mjet thelbësor i shprehjes së vullnetit politik të qytetarëve dhe si të tilla kanë përgjegjësinë dhe detyrimin ndaj qytetarëve që të sillen me përgjegjshmëri dhe maturi.
Gjuha e ashpër dhe sjellja konfliktuale nuk i shërben interesit të qytetarëve për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, kusht për integrimin europian të vendit. Jemi në prag të fillimit të fushatës zgjedhore ndaj kandidatët dhe partitë politike duhet të respektojnë konkurentët e tyre.
Zgjedhjet janë për qytetarët dhe fushata zgjedhore është faktori kryesor/qendror në formimin e opinionit të zgjedhësve, ndaj duhet respektuare drejta e qytetarëve për të krijuar opinionin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, si dhe të drejtën e tyre për të pasur zgjedhje të qeta, të lira dhe demokratike.
Gjithashtu, në respekt të standardeve të zgjedhjeve të ndershme, KQZ i bën apel edhe zyrtarëve të angazhuar si garues në zgjedhjet e datës 25 prill, që të ndajnë anagzhimin e tyre si kandidat për deputet me atë të drejtuesit të entit shtetëror përkatës.
Zhvillimi i një gare të ndershme, në kushte të barabarta dhe duke respektuar standardet e kërkuara zgjedhore, i shërben zhvillimit demokratik të vendit.
(E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post