Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar me një status në Facebook në lidhje me emigrantët të cilët janë bllokuar në kufirin që lidh vendin tonë me Greqinë.
Basha e quan kriminale braktisjen e tyre në këtë moment të vështirë që po kalojnë ata dhe e gjithë vendi teksa bën thirrje që të dërgohen në Kavalishencën e Durrësit dhe tu bëhet testi nëse janë apo jo të prekur me Covid-19.
Postimi i plotë
“Është e pafalshme dhe çnjerëzore që prej 4 ditësh dhjetëra nga bashkëqytetarët tanë janë lënë në mëshirë të fatit, në tokë asnjanëse mes Shqipërisë dhe Greqisë. Një braktisje e tillë mizore përbën një krim kaq të rëndë, sa asnjë shoqëri e civilizuar nuk mund ta falë, dhe që një prokurori me një fije integritet nuk mund të mos e hetojë.
I bëj thirrje qeverisë të lejojë këta bashkëqytetarë të hyjnë në atdheun e tyre. Të merren masa për transportin dhe strehimin e tyre në qendrën për karantinim në konvaleshencën e Durrësit.
Të bëhet testimi i tyre dhe më pas në varësi të gjendjes shëndetësore të dërgohen pranë shtëpive dhe familjeve të tyre. Braktisja e tyre në këtë kohë të vështirë është e papranueshme, është kriminale“.