Drejtori Ekzekutiv i televizionit Fax News, ka folur sot lidhur me situatën e krijuar para Kuvendit të Shqipërisë, ku banorët e “Astirit” protestuan kundër prishjes së banesave dhe bizneseve të tyre. Kjo protestë eskaloi në përdorim dhune si nga protestuesit në drejtim të policisë ashtu edhe e anasjelltas.
Për Abilekajn, kjo situatë e ka një përgjegjës i cili sipas tij është kryeministri Edi Rama, i cili provokoi protestuesit me fjalën e tij nga Kuvendi, duke iu kundërvënë nevojave të banorëve.
“Banorët prisnin sqarimin e Ramës se ç’do të ndodhte me ta, por kundërvënia e Ramës me ta, solli përplasjen dhe tentativën e tyre për të hyrë në Kuvend, për t’i kërkuar atij sqarim.
Me të vërtetë pati dhunë ndaj policisë, duhet të gjendet autori i saj, por përgjegjësi i dhunës është Edi Rama. Ai nxiti revoltën e tij, dhe këtë e ka bërë vazhdimisht”, tha ndër të tjera Abilekaj.
Më tej ai u shpreh se e gjithë kjo po bëhet për të shmangur vëmendjen nga një problem tjetër, ai i vjedhjes me anë të këtij projekti. Ai e krahasoi këtë rast me strategjinë që ndjekin grabitësit e bankave.
“Kjo nuk bëhet pa qëllim, por është një zjarr që ai e ndez për të larguar vëmendjen nga një problem tjetër.
Ke rastin e grabitjeve. P.sh. Grabitësit e bankave, shkaktojnë një problem pak më tutje, e ndërkohë grabisin bankën. Kështu po ndodh edhe tani, është një metodë grabitësish, lidhur me projektin e tyre”, – tha Abilekaj, ndërsa shtoi se, “Ne kemi një bandë grabitësish që po përdorin policinë”.
Duke u ndalur tek dëmshpërblimet për banorët, ai tha se ata duhet të dëmshpërblehen në bazë të ligjit 100%, ky është përcaktimi i ligjit.
(B.B/ Faxweb.al)