Në përfundim të Samitit në Bruksel, udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakord të vijojnë mbështetjen për integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria.
“Këshilli Evropian zhvilloi një shkëmbim pikëpamjesh mbi situatën në Ballkanin Perëndimor. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të punojë ngushtë me Ballkanin Perëndimor dhe të mbështesë përpjekjet e tyre për reforma në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Këshilli Evropian mbetet i përkushtuar për të çuar përpara integrimin gradual mes Bashkimit Evropian dhe shteteve të këtij rajoni gjatë procesit të zgjerimit në një mënyrë të kthyeshme dhe të bazuar në meritë. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian”.
Ndër vendet e rajonit, Shqipëria dhe Mali i Zi janë në pararojë të këtij procesi. Podgorica mbylli këtë të premte një tjetër grup kapitujsh negociues, ndërsa Tirana do të hapë zyrtarisht grupkapitullin e parafundit në ditët në vijim me nisjen nga puna të presidencës daneze të BE-së, dhe synon mbylljen e tyre në vitin 2027 me objektiv anëtarësimin në BE në vitin 2030.
Fokusi kryesor i samitit ishte agresioni rus ndaj Ukrainës, por krerët e shteteve dhe qeverive nuk ranë dakord për të shtrënguar sanksionet ndaj Rusisë, por vendosën t’i zgjasin ato aktualet edhe me gjashtë muaj.
Vendet e BE-së duhet t’i miratojnë njëzëri çdo gjashtë muaj sanksionet e tyre ndaj Moskës. BE në sfondin e luftës sulmuese të Rusisë kundër Ukrainës ka miratuar deri tani 17 paketa sanksionesh kundër Rusisë.