Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet një qëndrimi zyrtar, ka shpjeguar se pse tifozët tetraplegjikë mbetën jashtë stadiumit para takimit me Francën, për disa minuta, në pamundësi për të hyrë në impiant nëpërmjet ashensorëve.
Mosfunksionimi i tyre ka detyruar punëtorët e sigurisë që t’i ndihmojnë personat në fjalë për t’i dërguar në vendet e tyre.
Sqarimi i FSHF-së
Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqarojë të gjithë opinionin publik në lidhje me problematikën e ndeshur ditën e djeshme me rastin e ndeshjes Shqipëri-Francë, me personat para dhe tetraplegjikë.
Të gjithë personat para dhe tetraplegjikë si dhe shoqëruesit e tyre, të cilët vijnë në çdo ndeshje ndërkombëtare pas listës që sjell Shoqata e drejtuar nga Ndrek Ismajli, kanë marrë badge-in përkatës për të hyrë në stadium. Në Air Albania Stadium janë vendet për këtë kategori dhe shoqëruesit e tyre, tualetet përkatëse dhe çdo facilitet i kërkuar nga standardet ndërkombëtare.
Ditën e djeshme për shkak të një defekti teknik, ashensorët e tyre nuk kanë funksionuar dhe të gjithë personat janë ngjitur në stadium nga vullnetarët, kompania e sigurisë e kontraktuar nga FSHF dhe stafi jonë, duke i mundësuar ndjekjen e ndeshjes në vendet e tyre.