Përtej kostumit të ministrit, Blendi Klosi është një bashkëshort dhe baba i përkushtuar. Prej 12 vitesh ai është i martuar me producenten Nora Gega, martesë kjo që i ka bekuar me dy fëmijë, Aronin 9-vjeçar dhe Amlën, 6-vjeçare.
I biri ka pasione të ndryshme nga babai. Ai dëshiron të bëhet futbollist dhe është dhe tifoz i zjarrtë i ekipit të Partizanit. Nga ana tjetër, Amla është e përkushtuar ndaj mësimeve, pëlqen shumë aktrimin, ndërkohë që këtë vit mbyll klasën e parë.
I ftuar në emisionin “Rudina” në Klan, Klosi foli për lidhjen e fortë me bashkëshorten Nora Gega, emocionet e dasmës dhe marredhënien me dy fëmijët.
E paska zbrazur Nora gjithë arkivën, ishte shumë emocionues kolazhi me foto ose mbase po plakemi dhe emocionet po na shtohen, po lëshojmë veten. Unë tani po zbardhem, por fëmijët po rriten shpejt. Po kuptoj sa bukur kemi kaluar dhe çfarë mbarësie janë fëmijët në jetë, është bekim nga perëndia kur bëhesh me fëmijë. Nëse kam një merak nga gjithë puna në politikë është pjesa që nuk kaloj shumë kohë me fëmijët. Ata rriten me minuta dhe kjo është pjesa më e bukur, ata na japin shumë gëzim. Nora i shijon më shumë, por në përgjithësi të dielat i kemi me familjen dhe të dielën e kemi quajtur “dita e babit”. Më kënaqin sepse janë mirë në shkollë dhe përpiqen të bëjnë aktivitete të ndryshme. Ata po rriten tani dhe duke qenë se janë jo me diferencë të madhe moshe shkojnë shumë mirë dhe kanë filluar të na mbajnë edhe sekrete ne. Unë nuk dua që djali im të bëhet politikan ose futbollist, profesion tjetër të bëjë ç’të dojë. Nuk dua që të bëhet politikan sepse kërkon impenjim të madh dhe nuk të lejon të jesh vetvetja. Në shumë gjëra duhet të jesh i kontrolluar dhe humbet nga liria. As futbollist s’do doja të bëhej sepse më duket sikur vriten shumë. Do të doja të bëhej basketbollist, notar, thjesht një sportist i mirë. Edhe Amla gjithashtu mund të zgjedhë çfarë të dojë. Amla ka një prirje të veçantë për aktore. Aktron shumë mirë. Unë i them të bëhet doktoreshë sepse të gjithë prindërit kështu duan, që fëmijët e tyre të bëhen doktorë dhe t’iu shërbejnë”, tha Klosi.
Gjatë emisionit ai gjithashtu tregoi edhe emocionet e ditës së dasmës.
“Nora është shumë e bukur dhe e zbukuron fotografinë. Unë kam pasur shumë emocione ditën e dasmës, isha qull në djersë dhe vajza që po na ndihmonte me dasmën atë ditë më thoshte: “Qetësohu se nuk do të të gjejë gjë”. Ne bëmë dy dasma, tek e para kishim ftuar shoqërinë dhe kishim shumë të ftuar, ishte qejf i madh dhe u bë shumë bukur. Dasma e dytë kur bëmë edhe ceremoninë e celebrimit kishte emocion të madh. Ka dashur perëndia që të kalojmë shumë mirë këto vite dhe të jemi shokë shumë të mirë të njëri-tjetrit. Jemi në harmoni shumë të mirë të katërt”, tregoi Blendi Klosi.