Kreu i qeverisë Edi Rama ka marrë pjesë sot në inaugurimin e sheshit të Derviçanit që do të mbajë emrin e Konstantinos Mitsotakis, i pari kryeministër i Greqisë që vizitoi Dropullin.
Rama komentoi edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Rama tha se ajo që na ndan nuk e largon kurrë atë që i bashkon popujt shqiptarë dhe grekë, ndërsa i cilësoi këto të fundit si “dy pika uji”.
“Hera herës politika me nevojat e saj elektorale, jo domethënëse për fatet e vendeve tona trazon rrjedhën e vëllazërisë tonë, por janë gjëra që kalojnë. Mirë do ishte të mos ndodhin, por kalojnë edhe sherre e keqkuptime mes vëllezërish që jetojnë në shtëpi të ndryshme. Keqkuptimet jo vetëm kalojnë, por e bëjnë më të fortë lidhjen e pandashme mes dy popujve tanë. Nuk e di nëse Konstantinos Mitsotakis po na sheh nga lart, më pëlqen të mendoj që edhe dielli që u shfaq është buzëqeshja e tij. Po e mbyll duke uruar që Shqipëria dhe Greqia të kenë më shumë njerëz të ngjashëm me njeriun në këtë bust. Ajo që na ndan nuk e largon kurrë atë që na bashkon. Jemi dy popuj që ngjajmë si dy pika uji”, u shpreh ai.