Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka marrë pjesë në veprimtarinë e Ambasadës kineze të zhvilluar në Muzeun Historik Kombëtar me rastin e 68-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës si dhe promovimit të botimit në shqip të librit të Presidentit Xi Jinping, të titulluar “Qeverisja e Kinës”.
Meta u shpreh se Kina për shqiptarët mbetet një vend mik me të cilin janë ndërtuar marrëdhënie të veçanta miqësie e bashkëpunimi.
“Kina është jo vetëm një vend i madh. Ajo përfaqëson edhe një qytetërim të lashtë e trashëgimi kulturore mbi 5 mijëvjeçare. Për ne shqiptarët ajo mbetet një vend mik me të cilin kemi ndërtuar marrëdhënie të veçanta miqësie e bashkëpunimi”, tha ai.
FJALA E PLOTË:
“I nderuar Zoti Zhang Fuhai,
E nderuar Zonja Ambasadore Jiang Yu,
E nderuar Zonja Z/Kryeministre Mesi,
E nderuar Zonja Ministre e Kulturës Kumbaro,
Të nderuar zonja e zotërinj,
Jam i lumtur që marr pjesë sot në promovimin e librit të Presidentit të Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, ‘Qeverisja e Kinës’, i cili vjen sot në gjuhën shqipe për publikun e gjerë shqiptar.
Botimi në shqip i librit të Presidentit Xi Jinping është një mundësi për të njohur dhe kuptuar më mirë Kinën e sotme, filozofinë dhe vizionin e lidershipit të saj, reformat e ndërmarra dhe ndryshimet e thella, ambicjet e saj ekonomike dhe hapjen ndaj investimeve të huaja, rolin e saj të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, jo vetëm për studiuesit, diplomatët, por edhe për lexuesit e thjeshtë.
Presidenti Xi Jinping thekson në librin e tij nevojën e ndërveprimit të Kinës me vende e rajone të tjera, që reflektohet qartë edhe në iniciativën dhe projektin madhor të lançuar prej tij “Një Brez, Një Rrugë”, që në kushtet e shekullit XXI, revokon brezin ekonomik të Rrugës së Mëndafshit së para dymijë vjetëve, e që lidh Kinën e sotme dhe rajonin e Azisë Lindore me Evropën.
Të nderuar zonja e zotërinj,
Kina është jo vetëm një vend i madh. Ajo përfaqëson edhe një qytetërim të lashtë e trashëgimi kulturore mbi 5 mijëvjeçare. Për ne shqiptarët ajo mbetet një vend mik me të cilin kemi ndërtuar marrëdhënie të veçanta miqësie e bashkëpunimi.
Ashtu siç shprehet Presidenti Xi Jinping edhe unë do t’i referohesha në këtë rast proverbit të vjetër kinez që thotë: “Miqtë që kanë të njëjtat qëllime dhe ideale, nuk i ndajnë as male e as oqeane”.
Kjo miqësi u lidhur thuajse shtatë dekada më parë, në momente të vështira për të dyja vendet kur Shqipëria ishte ndër vendet e para që shprehu vullnetin jo vetëm për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës, por edhe mbështeti si rrallë ndonjë vend tjetër që Kina të fitonte pozitën ndërkombëtare që ajo e meritonte.
Ndihma e madhe dhe e jashtëzakonshme e popullit kinez për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë të paktën për dy dekada, si dhe bashkëpunimi shumëdimensional e forcuan ndjenjën e miqësisë mes dy vendeve tona në mënyrë të jashtëzakonshme.
Por për fat të keq, në gjysmën e dytë të viteve ’70-të, në vend që ne të mësonim nga reformat që ndërmori Kina dhe hapja e saj me botën, kaluam në një izolim të plotë. Aktualisht, Shqipëria dhe Kina kanë marrëdhënie intensive bashkëpunimi në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Dinamika e këtij bashkëpunimi pas viteve ’90-të ka njohur një marrëdhënie të re cilësore, marrëdhënie që reflekton jo vetëm zhvillimet pozitive në të dy vendet tona, por krijon hapësira edhe më të mëdha për forcimin dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.
Republika Popullore e Kinës përfaqëson jo vetëm një vend mik, por mbi të gjitha një partner domethënës tregtar dhe ekonomik për Shqipërinë. Shqipëria i kushton një rëndësi shumë të madhe e të veçantë, forcimit të bashkëpunimit me Republikën Popullore të Kinës.
Gjatë vizitës sime të fundit në Kinë me kënaqësi konstatova se edhe udhëheqja aktuale e Republikës Popullore të Kinës ka një vlerësim të veçantë për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe ka dëshirën dhe vullnetin për t’i zhvilluar ato më tej në të gjitha drejtimet, në shkëmbimet tregtare, në bujqësi, turizëm, arsim, kulturë e kudo.
Por marrëdhëniet ekonomike kanë marrë një vëmendje të veçantë në kuadrin e bashkëpunimit të iniciativës 16+1 dhe projektit ‘Një Brez, Një Rrugë’, duke krijuar një perspektivë të re për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.
Jam i sigurt se edhe perspektiva e marrëdhënieve tona do të jetë e shkëlqyer dhe duke e mbyllur, më lejoni t’i referohem një shprehjeje të Presidentit Xi Jinping, që e shpreh qartë këtë perspektivë e që thotë se: ‘Sa më e thellë të jenë njohja dhe mirëkuptimi, aq më e fortë dhe më e gjerë është baza e shkëmbimeve dhe e bashkëpunimit’. Edhe njëherë faleminderit për ftesën dhe suksese të gjithë të pranishmëve, delegacionit që ka ardhur nga Kina, por edhe marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kinës në dekadat që vijnë!”. Në përfundim të veprimtarisë promovuese të librit “Qeverisja e Kinës”, Presidenti i Republikës dhe të pranishmit morën pjesë në pritjen e dhënë me rastin e 68-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës, duke ndjekur në mjediset e Muzeut Kombëtar videon e prezantuar, këngët kineze dhe shqiptare si dhe shfaqjen artistike.
(S.SH/Shuplaka)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”2828″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]