Nga Edmond Tupja
U kërkoj ndjesë lexueseve e lexuesve besnikë, por edhe atyre të paqëndrueshëm, të kësaj rubrike të përjavshme, që, ashtu si javën e kaluar, do të merrem me një tjetër fjalë, disi të harruar, pra, edhe të rrallëpërdorur sot kur gjuha shqipe po dhunohet gjerë, gjatë e thellë, poshtë e lart, majtas e djathtas, nga vetë shqiptarët …“Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) na jep këtë përkufizim të fjalës “pusullë”: “copë letre e shkruar zakonisht shpejt e shpejt, që i dërgohet dikujt; copë letre e shkruar; pusullë bakalli (keq.) shkresë a letër e shkruar në kartë të keqe, jo sipas rregullave dhe e mbajtur pa kujdes…”.
Pikërisht një pusullë i dërgoi dorazi zoti Donald Lu, ambasadori amerikan në Shqipërinë tmerrësisht demokratike, zotit kryetar të Kuvendit të së njëjtës Shqipëri, pra, tmerrësisht demokratike. Dhe kjo, gjatë një takimi tek Avokati i Popullit të zhvilluar publikisht e të përcjellë përmbledhtas nga disa rrjete televizive në emisionet e tyre të lajmeve. Sigurisht që nuk qe një pusullë bakalli, por thjesht një letër e shkruar shpejt e shpejt, të cilën zoti kryetar i Kuvendit të Shqipërisë e lexoi pa u vonuar dhe – pikërisht këtu qëndron lezeti i ngjarjes – e grisi me ta lexuar. Ky gjest, d.m.th. grisja e pusullës, më kalli në mendime, të cilat po ua paraqis lexueseve dhe lexuesve të mi të vëmendshëm e të paanshëm.
Së pari, grisja e pusullës nga ana e zotit kryetar të Kuvendit dëshmon se në të ishte shkruar diçka që askush tjetër nuk duhej ta merrte vesh;
Së dyti, pusulla e grisur dhe e tejgrisur, i jepte garanci dërguesit të nderuar se askush nuk do të kishte mundësi të vihej në dijeni të përmbajtjes së saj;
Së treti, ajo më kujtoi kohën e palavdishme, por të frikshme të diktaturës hoxhiste, kur njerëzit asgjësonin çdo gjë, sidomos të shkruar, që mund të interpretohej se përbënte një dëshmi apo gjurmë veprimtarie subversive (siç mbaj mend rastin e dikujt që, nga frika, e hëngri pusullën që i kishte dërguar një mik, e cila i ishte dukur e rrezikshme dhe, megjithatë, të nesërmen në mëngjes, pasi kreu nevojat vetjake në banjën allaturka ku e shoqja edhe gatuante me furnelë vajguri, verifikoi që ajo nuk i kishte dalë e patretur bashkë me jashtëqitjen);
Së katërti, grisja në fjalë nuk m’u duk fort e hijshme, sepse, gjithsesi, ishte “dhunë” e ushtruar kundër diçkaje të dalë nga dora e përfaqësuesit më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë, dhe një gjest i tillë linte, me gjasë, shteg të konsiderohej të paktën si mungesë finese në fushën e diplomacisë (ç’është e vërteta, zoti kryetar i Kuvendit mund ta kishte futur me delikatesë në xhep pusullën fatkeqe për ta asgjësuar privatisht dhe jo publikisht, me të mbërritur në shtëpi, me djegie, futje në enë me acid, hedhje në nevojtore dhe shkarkim të përsëritur disa herë të kasetës etj., etj.);
Së pesti e së fundi, por jo më së paku, gjesti asgjësues i zotit kryetar të Kuvendit, ma ndezi flakë, zjarr e rrufe kureshtjen gati të paturpshme për të marrë vesh se çfarë kishte shkruar në atë pusullë dora e fuqishme e zotit ambasador fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë dhe, sidomos, kryesisht e në veçanti, se çfarë kishin lexuar sytë tejet depërtues të zotit kryetar të Kuvendit, të cilit, pasi leximit të pusullës, iu nder në fytyrë një buzëqeshje po aq e disakuptimtë e enigmatike sa ajo e Monalizës së Da Vinçit, portretin e së cilës e kam kundruar nga pranë të paktën nja dhjetë herë kur isha student në Paris para gjysmë shekulli, ndërkohë që zoti kryetar i Kuvendit ende nuk kishte lindur, por, ndoshta, mund të ishte projekt për të ardhur në këtë botë të trazuar vlerash të rrema.
Tani, para se ta mbyll këtë përsiatje, më duhet sinqerisht t’u kërkoj ndjesë lexueseve dhe lexuesve besnikë, por edhe atyre të paqëndrueshëm, të kësaj rubrike të përjavshme, që, në krye të këtij shkrimi, nuk e kam dhënë të plotë përkufizimin e fjalës “pusullë”, i cili përfundon me shprehjen “e humbi pusullën”, çka, sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), thuhet për dikë që “nuk është në gjendje të gjykojë drejt; hutohet dhe e humb fillin krejt.” Rrjedhimisht, pyetja që më lindi vetvetiu, pra, pa operacion cezarian, është kjo: në rastin objekt të kësaj përsiatjeje, kush e humbi pusullën, zoti ambasador amerikan apo zoti kryetar i Kuvendit të Shqipërisë tmerrësisht demokratike? / panorama