Rreth orës 18:30 të pasdites së sotme, në kryqëzimin Velia në qytetin e Peshkopisë, një aksident rrugor ka rezultuar me plagosjen e një punonjësi policie.
Sipas informacioneve zyrtare, shtetasi A.Sh., 27 vjeç, duke drejtuar një automjet tip “Golf”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit, duke dalë nga rruga dhe u përplasur me një dyqan.
Si pasojë e aksidentit është dëmtuar shtetasi V.Gj., punonjës policie në shërbim, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Verifikimet paraprake tregojnë se drejtuesi i automjetit ishte nën efektin e alkoolit në momentin e ngjarjes. Ai është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor ndodhet ende në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur të gjitha rrethanat e aksidentit.