Ditën e sotme, kreu i grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili, foli për spastrimet që Partia Socialiste bëri nga administrata, ndaj njerëzve të LSI-së, pas krijimit të qeverisë Rama II.
I ftuar në emisionin “45 minuta” të gazetarit Denis Minga, Vasili është shprehur se largimet e mbështetësve të LSI-së nga administrata, nuk do ta dëmtojnë këtë forcë politike, ndërsa kujton se LSI ka patur ditë edhe më të vështira.
“Largimet janë masive. Edhe në ëebin tuaj ka lajme të tilla për këtë gjë. Ne as jemi pajtuar dhe as nuk pajtohemi, por i gjithë investimi i nëj prej tre kushteve për integrimin europian ka qenë Shërbimi Civil. Sot nuk kemi ligj të Shërbimit Civil. Ka dalë lista e sekretarëve të përgjithshëm në të gjitha ministritë, është akti më i paparë, më i paprecedentë. Për drejtorët, ajo pjesë e pakët që na qenë, nuk është më. Ata janë të gjithë njerëz që vazhdojnë veprimtarinë e tyre politike me LSI-në.
Është PS, si parti klienteliste që rritet duke punësuar, ne s’e kishim bazuar këtu, ne s’kemi lindur me pushtet, nga 2004-a e deri në 2009 kemi kaluar 5 vite të vështira, e dini që edhe ligjet e kodet elektorale bëheshin kundër nesh. Qëndrueshmëria e LSI ishte se nuk ishte e bazuar te drejtori dhe nëpunësi, nuk i merr dot 250 mijë vota me 20 drejtorë”, tha Vasili. (D.D/Shuplaka)