Kryetari i Partisë Demokratike për njësinë numër 8 në kryeqytet, Pëllumb Seferi në një deklaratë për mediat tha se në KZAZ-në 38 në Shkollën e Kuqe numëruesit e Partisë Socialiste kanë që mëngjes që shprehen se janë të lodhur.
Seferi u shpreh se janë numëruar vetëm 10 kuti gjatë gjithë ditës, ndërkohë që janë edhe 16 kuti të tjera pa numëruar. Seferi tha se ka dëgjuar se nuk kanë kurajo t’i hapin pasi kanë dijeni se çfarë ka brenda kutive dhe ndërkohë presin nëse del ndonjë gjë tjetër deri nesër në mëngjes.
“Këtu jemi në KZAZ-në 38 në Shkollën e Kuqe, jemi bashkë me nënkryetaren e KZAZ-së që drejton procesin e numërimit. Gjatë ditës së sotme jemi në fazën e numërimit të kandidatëve, ka dy ditë që ka filluar ky numërim dhe gjatë ditës së sotme ka ecur me ritme shumë të ngadalëta. Kemi bërë kërkesë, por jemi ndeshur me justifikime të paqëndrueshme në lidhje me vijimin e procesit.
Aktualisht kanë mbetur edhe 16 kuti pa numëruar dhe gjatë gjithë ditës janë numëruar vetëm 10 kuti. Ky është një qëndrim i pajustifikueshëm, ata thonë që janë të lodhur, po kanë që mëngjes që janë të lodhur. Po nëpërtë ne dëgjojmë që i kanë lënë kutitë aty me shpresën që të dali ndonjë gjë tjetër nesër në mëngjes se ndoshta e dinë çfarë ka brenda dhe nuk kanë kurajo ta hapin.
Arsyen e vërtetë e dinë ata. Ka numërues që janë sjellë rrotull këtu, por nuk i kemi parë të lodhur. Janë prezent qëndrojnë këtu, po thonë janë të lodhur. Kur kemi qënë të lodhur realisht në orën 2 të natës dhe kanë qënë ata që kanë thënë që të vazhdojmë. Kurse tani thonë janë të lodhur në thonjëza domethënë. Ja tani e hapën një kuti nga presioni i mediave.”, deklaroi Pëllumb Seferi.
(R.G/Faxweb.al)