Është pezulluar me një vit gjyqi për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, për shkak se të dyshuarit kryesor për ngjarjen ndodhen ende në arrati.
Çështja do të vijojë vetëm për Ilir Selmanin, i cili është arrestuar, dhe dyshohet se është personi që fshehu provat pas krimit të rëndë të ndodhur në zonën e ish-porcelanit në Tiranë, në gusht të 2019-tës.
Personat që janë ende në kërkim për ngjarjen e rëndë, njihen ndryshe dhe si anëtarë të klanit Duka: Leonard Duka; Erlis Duka, Oltian Logu, Dritan Agaj dhe Aleksandër Maxhaku.
Duke iu referuar praktikës së Gjykatës Europiane, personat e dyshuar duhet të marrin dijeni të drejtpërdrejtë për çështjen që janë nën hetim, dhe sa kohë ata ndodhen në arrati, gjyqi është pezulluar.
Familja e të ndjerit Malko ka hedhur vazhdimisht akuza ndaj gjykatës dhe policisë, që sipas tyre nuk po bëjnë drejtësi për vrasjen e të afërmit të tyre.
“Djalin ma vrau klani Duka, policia nuk i kap. Ilir Selmanin e kapën pasi e gjeta unë. Ndoqa gruan e Selmanit kur i çonte bukë. Në prill 2019 vëllezërit Duka u kapën. Policia i kapi pasi ndiqnin djalin tim. Kush është gjyqtari që liroi vrasësit e djalit?
Kush mori thesin me lekë dhe liroi kriminelët? Edhe ditën e vrasjes Dukat ishin shoqëruar. Kush është polici që mori paratë dhe i liroi? Nuk i ndahem drejtësisë, të më dalë shpirti. I kam parë vrasësit rrugëve të Tiranës. Në polici thonë, pse mërzitesh do t’i kapim. Polici më tha, kur t’i shikosh na telefono.
Kam trokitur deri tek Ardi Veliu, ai nuk më ka pritur në takim. Nuk të presin shefat e policisë janë si baronë droge, me unaza e zinxhirë florinj. Gjakun e djalit do ta kërkoj deri në Hagë. I kam parë Dukat, më kanë kërcënuar. Policia ka kriminelë që ushqehen me gjakun e fëmijëve. Po të dojë shteti i kap, i shtrydh si limon në 24 orë”, deklaroi kohë më parë Bukuri Malko.
(E.K/Faxweb.al)