Ish-Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith, është shprehur se Kosovës I duhet më tepër punë në disa çështje kyçe, siç janë dialogu me Serbinë, sundimi i ligjit dhe përpjekjet që Kosova të jetë më afër Bashkimit Evropian.
Në një intervistë, Feith foli edhe për demarkacionin dhe krijimin e Ushtrisë. Sipas tij askush nuk e di as në Kosovë dhe as në Serbi se cili është qëllimi i dialogut
“Sinqerisht mendoj se disa gjëra duhet të ndryshojnë. Mendoj se dialogu është shumë i drejtuar lartë-poshtë nga Brukseli dhe është shumë konfidencial dhe sekret. Askush nuk e di se cili është qëllimi i dialogut. Mendoj se shumë njerëz në Kosovë dhe po ashtu në Serbi janë të hutuar dhe nuk janë të mësuar, janë mosbesues ndaj asaj që po ndodh. Sugjerimi im, dhe këtë ua kam thënë në Bruksel, është që të punohet nga poshtë-lartë, me shoqërinë civile, organizatat e grave, OJQ, ekspertë në Kosovë, ku ka shumë të tillë. E di se atje është një prani e pasur e aktivistëve të shoqërisë civile. Ata duhet të informohen dhe të ketë transparencë ndaj tyre. Sepse një marrëveshje për një çështje kaq të ndjeshme siç është normalizimi i së ardhshëm me Serbinë ka nevojë për një bazë themelore dhe për mbështetjen nga popullata dhe sigurisht që kjo ende po mungon. Në vend se të punohet përmes presidentëve, kryeministrave dhe ministrave, që po ashtu duhet bërë, ne duhet të punojmë nga poshtë-lartë dhe mendoj se ka shumë punë për t’u bërë”, ka thënë Feith.
(S.SH/Shuplaka)
Discussion about this post