Ditën e djeshme me shpejtësi qarkulloi lajmi se kryesuesi i Partisë Social Demokrate në listën e Vlorës Leonard Beqiri ishte tërhequr nga gara për të kaluar me PS-në.
Ndërkohë që në një prononcim ekskluziv për “Shuplakën” Leonard Beqiri shprehet se kjo nuk është aspak e vërtetë. Ai thotë se idenë për të majtën e bashkuar ai e ka hedhur edhe më parë, por kjo nuk nënkupton tërheqjen e tij nga gara.
“Vazhdoj të jemë në garë dhe jam duke luftuar fort për të fituar sa më shumë vota. Unë gjithmonë e kam përkrahur idenë e të majtës së bashkuar po kjo nuk nënkupton që unë po punoj për PS-në”, u shpreh Beqiri për “Shuplakën”.
Nuk dihet se cili ka qenë qëllimi i shpërndarjes së këtij lajmi po një gjë është e qartë, socialistëve nuk do iu bënin dëm ca vota më shumë.
Nga ana tjetër edhe pse PSD-ja ka qenë gjithnjë në krah të Ramës në këto zgjedhje ata e kanë ndier veten të tradhëtuar nga marrëveshja Rama-Basha.
Kujtojmë se gara në qytetin e Vlorës është mjaft e fortë, ku nga socialistët kryeministri Rama renditet i gjashti, ndërsa në listën e PD-së renditet dhe Vangjel Dule i PBDNJ-së dhe çami Dashamir Tahiri.
(E.K/SHUPLAKA)