Të gjithë e kujtojmë historinë e familjes Ajazajt që ishte e vendosur prej disa vitesh në Gjermani si emigrantë të paligjshëm.
Nga 11 tetori Xhezo Ajazaj me gruan dhe tre fëmijët që jetojnë prej 3 vitesh në Berlin kanë jetuar nën ethet e kthimit dhe dëbimit që ishte vendosur nga ana e autoriteteve gjermane.
Pasiguria që i priste në rast kthimi në Shqipëri, ku siç shkruan media gjermane bild.de “nuk kishin asgjë” i përcillte ata ditë e natë.
Por, çështja duket se ka marrë një kthesë pozitive për familjen Ajazaj. Senatori (ministri) i brendshëm i landit Andreas Geisel ka shprehur gatishmërinë që të ndërhyjë. Ai ka vendosur që çështja e familjes shqiptare të rishikohet dhe të vendoset për fatin e tyre në një moment të dytë.
Fqinjët, të njohurit dhe mediet, duke iu referuar familjes shqiptare shprehnin shqetësimin përse ata duhej të dëboheshin. Dhe shqetësimi ishte i bazuar pasi siç ka thënë edhe shefi gjerman i kompanisë ku punon Xhezo, “shqiptari i tij” punonte sa për tre veta.
Senatori Geisel, më 11 tetor kishte vendosur për dëbimin e familjes ndërsa tashme ai ka ndryshuar qëndrimin dhe së paku për momentin Ajazajt mbeten në Gjermani.
(E.K/FAXWEB)